Lidhje

Presidenti Obama: Strategjia amerikane në Afganistan do të mbetet e njëjtë

  • Meredith Buel

Presidenti Barak Obama tha se strategjia amerikane në Afganistan do të mbetet e njëjtë, pavarësisht vendimit të tij për të zëvëndësuar komandantin e lartë në krye të operacioneve ushtarake në atë vend.

Presidenti Obama i bëri këto komente dje gjatë një konference shtypi me Presidentin rus, Dimitri Medvedev, një ditë pasi pranoi dorëheqjen e Gjeneralit Stanli Mekristëll dhe e zëvëndësoi atë me komandantin e Komandës Qëndrore të Shteteve të Bashkuara, gjeneralin David Petreas.

Presidenti Obama tha se ai këmbëngul që në Afganistan duhet të ekzistojë një unitet i qëllimit të misionit. Ai shprehu bindjen se Gjenerali Petreas e kupton fare mirë strategjinë amerikane në Afganistan sepse ai ndihmoi në hartimin e saj.

Ndërkohë po dje, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts tha se ai mbështet plotësisht vendimin e Presidentit Barak Obama për të zëvëndësuar komandantin e forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan. Sekretari Gejts tha se ndryshimi i komandës nuk përbën pakësim të angazhimit të Amerikës në luftën në Afganistan.

Duke folur me gazetarët në Pentagon, Sekretari Gejts shprehu keqardhje të thellë për rrethanat që çuan në vendimin e presidentit Obama për të zëvëndësuar gjeneralin e ushtrisë, Stanli Mekristëll.

Sekretari Gejts tha se ky vendim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në vendosmërinë e Amerikës në Afganistan.

"Asnjeri, qofshin armiqtë tanë, miqtë e veçanërisht trupat tona, nuk duhet ta interpretojnë këtë ndryshim të personelit si pakësim të angazhimit të qeverisë amerikane në misionin në Afganistan. Ne vazhdojmë të jemi të angazhuar për këtë mision dhe për zbatimin e strategjisë gjithëpërfshirëse civile e ushtarake, që u urdhërua nga presidenti për të arritur objektivat tona në atë vend".

Sekretari Gejts tha se vendimi i Presidentit Obama për të zëvëndësuar gjeneralin Mekristëll me gjeneralin e ushtrisë Petreas është rezultati i mundshëm më i mirë për një situatë të tmerrshme, siç u shpreh ai.

Shefi i Shtatmadhërisë së Shteteve të Bashkuara, admirali i marinës, Majkëll Mullen, tha se ishte tronditur dhe fizikisht sëmurur kur lexoi komentet e gjeneralit Mekristëll të cituara nga revista Rolling Stone, sipas të cilave gjenerali dhe personeli i tij kishin vënë në lojë zyrtarë të lartë të administratës Obama.

Admirali Mullën tha se nuk ka falje për gjykimin e dobët të gjeneralit Mekristëll.

"Ne nuk gëzojmë të drejtën dhe as që duhet të presupozojmë se kemi privilegjin të vëmë në dyshim aftësinë e udhëheqësve civilë apo të tallemi me ta, qofshin këta udhëheqës të zgjedhur apo të emëruar. Ne jemi dhe duhet të mbetemi një instrument neutral i shtetit, ne japim llogari dhe respektojmë këta udhëheqës, pavarësisht se cila parti mban pushtetin apo cili individ është në detyrë".

Gjenerali Mekristëll u thirr në Uashington dhe i ofroi presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë dorëheqjen e tij, pas publikimit të një artikulli në revistën Rolling Stone, bazuar në intervista të zhvilluara me gjeneralin.

Gjenerali Mekristëll i cilësoi intervistat si gabim, që nuk duhet të ishin zhvilluar kurrë.

Këto zhvillime përkojnë me dislokimin në Afganistanin jugor të mijëra trupave amerikane, në kuadër të strategjisë së presidentit Obama për t’iu kundërvënë talebanëve dhe për të mposhtur al-Kaidën.

Kjo strategji është kritikuar gjerësisht, ndërsa qershori ka rezultuar të jetë muaji më vdekjeprurës për forcat ndërkombëtare që prej fillimit të konfliktit në vitin 2001.

Avancimi i operacioneve ushtarake në Afganistanin jugor ka qënë më i ngadaltë se sa pritej, madje ekzistojnë ende probleme me korrupsionin në radhët e qeverisë afgane.

Sekretari Gejts u tha gazetarëve në Pentagon se luftimet kanë qënë më të vështira se sa ishte pritur fillimisht.

"Nuk besoj se kemi rënë në batak. Besoj se po bëjmë një farë përparimi dhe ky përparim ka qënë më i ngadaltë dhe më i vështirë nga sa pritej".

Admirali Mullën tha se Shtetet e Bashkuara do të mësojnë deri në fund të këtij viti nëse strategjia ushtarake e Presidentit Obama në Afganistan do të dalë me sukses.

Admirali Mullën tha se do të nisej menjëherë për në Afganistan dhe Pakistan për t’u thënë aleatëve dhe trupave se nuk do të ketë ndryshim në misionin e Amerikës për të fituar luftën.

XS
SM
MD
LG