Lidhje

Botërori 2010: SHBA takohen me Slloveninë në Grupin C


Ndërkohë nesër Shtetet e Bashkuara zhvillojnë ndeshjen e dytë në grup. Përballë kanë ekipin e Sllovenisë. Sllovenia ka 3 pikë në grupin C, ndërsa Shtetet e Bashkuara 1. Ekipi i Zërit të Amerikës u takua gjatë kësaj jave me lojëtarët amerikanë në afërsi të qytetit Pretoria.

Skuadra kombëtare e Shteteve të Bashkuara po përgatitet për fitoren e domosdoshme nesër kundër Sllovenisë. Sllovenia fitoi në ndeshjen e saj të parë, të dielën kundër Algjerisë.

Mediat ndërkombëtare u takuan gjatë kësaj jave me futbollistët amerikanë në afërsi të kampit të tyre. Ylli amerikan Oguçi Onjewu thotë se ekipi amerikan është në disavantazh pikësh për t’u kualifiluar për në 16-she.

“Situata është e komplikuar pas barazimit të parë. Sllovenia ka tri pikë dhe takimi i së premtes do të jetë shumë më i rëndësishëm për të kaluar fazën e grupeve”.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara radhiten të 15-at në botë dhe Sllovenia e 24-ta, Majkëll Bredlli, i ati i të cilit është traineri i skuadrës amerikane, thotë se sllovenët luajnë mirë gjatë 90 minutave dhe janë të mirë në mbrojtje.

“Duke pasur parasysh rezultatet e tyre në eliminatore, mendoj se janë kundërshtar i vështirë. Më duket se kanë luajtur 10 ndeshje gjatë kualifikimeve në Europë dhe kanë pësuar vetëm katër gola”.

Është debatuar shumë edhe për topat e rinj të Botërorit që i prodhon kompania Adidas. Shumë futbollistë janë ankuar se topat e këtij Botëtori lëvizin në ajër ndryshe nga topat e zakontë. Portieri i Shteteve të Bashkuara Tim Howard është njëri nga kritikët e topave të rinj. Bashkëlojëtari i tij, Oguçi Onjewu, thotë se me topat e rinj duhet të përshtaten të gjithë, pa dallim.

“Topi është i veçantë. Nuk e di se si e kanë punuar. Por, goditjet harkore me këtë top janë të vështira dhe mënyra se si lëviz në ajër është ndryshe nga se ç’jemi mësuar... por kujtoj se duhet të mësohemi me të”.

Në rast fitoreje, Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësi kualifikimi në grup. Ndeshjen e fundit në grup, kundër Algjerisë, do ta zhvillojnë më 23 qershor.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG