Lidhje

Pentagon, FBI hetime për dokumentet sekrete të luftës në Afganistan


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates thotë se i ka kërkuar FBI-së të ndihmojë në hetimin e incidentit të fundit të nxjerrjes dhe publikimit të dokumenteve sekrete ushtarake. Gates dhe admirali Michael Mullen, kreu i Shtatmadhorisë amerikane folën për këtë çështje në një konferencë për shtyp dje në Pentagon, disa ditë pasi faqja e internetit WikiLeaks nxorri dhjetra-mijëra dokumenta sekrete për luftën në Afganistan.

Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates e vuri theksin tek ajo që administrata e Presidentit Obama e ka thënë gjithë javën – se problemet e pasqyruara tek dokumentat e botuara për luftën në Afganistan nuk janë të reja për njerëzit brenda ose jashtë qeverisë.

Por ai nuk e nënvlerësoi mundësinë e dëmit të shkaktuar nga botimi i asaj që ai e quajti “një mal të dhënash të papërpunuara dhe përshtypjesh personale” që janë “të zhveshura nga konteksti dhe analiza”.

“Pasojat e botimit të këtyre të dhënave në fushën e betejës mund të jenë të rënda dhe të rrezikshme për trupat tona, aleatët dhe partnerët afganë dhe mund të dëmtojnë marrëdhëniet dhe reputacionin tonë në atë pjesë të rëndësishme të botës”.

Sekretari Gates tha se ky incident zbulon burimet dhe metodat e zbulimit, si edhe taktikat ushtarake. Ai gjithashtu shtroi shqetësimin se afganët që kanë ndihmuar forcat amerikane mund të jenë tani të rrezikuar.

“Mendoj se ky është një nga aspektet më të rënda. A do të na besojnë më njerëzit? A do të besojnë më njerëzit që vënë kokën në rrezik se ne do t’i mbajmë sekret identitetet e tyre? A do të na besojnë qeveritë e tjera se ne do t’i mbajmë dokumentat dhe informacionet e tyre të zbulimit sekret?”

Kreu i Shtatmadhorisë, admirali Michael Mullen tha se është i indinjuar nga nxjerrja e dokumentave dhe botimi i tyre në faqen e WikiLeaks. Ai kritikoi krijuesin e kësaj faqeje, Xhulian Asanzh dhe personin ose personat që ia dhanë materialet sekrete kësaj faqeje.

“Zoti Asanzh mund të thojë ç’të dojë për të mirën e përgjithshme që ai mendon se po bën, por e vërteta është se ata mund të kenë në duart e tyre gjakun e ndonjë ushtari të ri, apo të ndonjë familjeje afgane”.

Asanzh thotë se WikiLeaks bën maksimumin për të mbrojtur burimet e veta. Gates nuk pranoi t’i përgjigjej direkt pyetjes së një gazetari nëse kjo faqe interneti apo media të ndryshme do të hetohen për botimin e materialeve sekrete.

“Megjithatë qëndrimi im është se hetimi duhet të shkojë aty ku është e nevojshme,” tha sekretari i mbrojtjes.

Sekretari Gates tha se Pentagoni po merr masa në terren në zona lufte për të parandaluar shkelje të tjera të këtij lloji. Ai tha se kjo do të përfshijë forcimin e procedurave për të lexuar dhe transportuar informacione sekrete. Por ai tha se do të jetë e vështirë të realizohet një ekulibër mes shqetësimeve të sigurisë dhe sigurisë së trupave.

XS
SM
MD
LG