Lidhje

Balanca mes sigurisë kombëtare dhe lirive civile

  • Jela Françeski

Balanca mes sigurisë kombëtare dhe lirive civile

Balanca mes sigurisë kombëtare dhe lirive civile

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, zyrtarët amerikanë të kundërterrorizmit gëzonin të drejtën sekrete të merrnin të dhëna financiare nëpërmjet një marrëveshjeje me programin me seli në Belgjikë, i njohur si Shoqëria për Telekomunikimin Ndërkombëtar Financiar Ndërbankar ose SWIFT. Ky program evropian jep transaksione bankare për gati 8,000 institucione financiare në 204 vende dhe territore. Hetuesit amerikanë i përdorën të dhënat e SWIFT-it për të zbuluar financimin e aktiviteteve terroriste. Zyrtarët amerikanë thonë se programi luan një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit duke identifikuar burimet e financimit të terroristëve dhe ka ndihmuar në parandalimin e komploteve terroriste. Por zyrtarët evropianë kanë shprehur shqetësimin se programi SWIFT i ka dhënë informacione qeverisë amerikane rreth konsumatorëve evropianë, duke shkelur kështu ligjet evropiane të privacisë. SWIFT është shndërruar në një provë të rëndësishme të balancës mes sigurimit kombëtar dhe lirive civile. Kjo çështje u diskutua kohët e fundit nga Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Janet Napolitano dhe nën-presidentja e Komisionit Evropian, Viviane Reding. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jela de Franceschi sjell hollësi rreth pikave kryesore të këtyre bisedimeve, që u zhvilluan në Këshillin Atlantik të Shteteve të Bashkuara këtu në Uashington.

Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Janet Napolitano theksoi se ekziston një histori 30 vjeçare e shkëmbimit të informacioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, periudhë gjatë së cilës nuk ka pasur shpërdorim të informacioneve personale. Sekretarja Napolitano shtoi se mbrojtja e privacisë është e integruar në të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë me partnerët e tyre.

“Ligjet tona njohin faktin se njerëzit presin që privacia e tyre të respektohet, se ne duhet të kemi një qëllim specifik për grumbullimin e të dhënave rreth personave të caktuar dhe kjo të bëhet me pajtimin e individëve dhe në bazë të ligjit. Dhe këta individë duhet të jenë në gjendje të mësojnë se çfarë të dhënash ka qeveria rreth tyre dhe t’i korrigjojnë ato nëse nuk janë të sakta”.

Sekretarja Napolitano tha se kur bëhet fjalë për balancën mes sigurisë kombëtare dhe lirive civile nuk mund të zgjedhim njërën apo tjetrën.

“Njerëzit nuk mund të jenë të lirë nëse jetojnë në frikë sepse ata janë më në gjendje të ushtrojnë liritë e tye nëse ata ndjehen të lirë. Dhe mbrojtja e këtyre lirive nga kërcënime të përbashkëta kërkon veprime dhe përgjegjësi të përbashkëta”.

Evropa është e interesuar të nënshkruajë një marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara për shkëmbimin e informacioneve, e cila do të caktonte standarte të sakta për mbrojtjen e të dhënave personale kurdoherë që ato duhet të transferohen nga njëra anë e Atlantikut në tjetrën në aspektet e bashkëpunimit policor dhe juridik në çështje kriminale.

Nën-presidentja e Komisionit Evropian, Vivian Reding tha se pas miratimit të kushtetutës së re dhe kartës së të drejtave themelore, Evropa nuk funksionon më si një kontinent me një numër shtetesh të veçanta.

“Mund të ngrihet pyetja se pse duhet të zëvëndësojmë bashkëpunimin dypalësh mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që ka funksionuar fare mirë deri tani, me një marrëveshje për të gjithë Bashkimin? Dhe përgjigja është shumë e thjeshtë: Sepse tani ne kemi kushtetutën e re dhe Kartën e të Drejtave Themelore, ku përfshihet edhe neni i posaçëm 8 lidhur me të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale; sepse ekziston edhe mirëkuptimi i rregullave kushtetuese të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”.

Një kërkesë tjetër e rëndësishme evropiane është që qytetarët evropianë të lejohen ta ngrejnë çështjen e shkëmbimit të të dhënave të tyre në gjykatat e Shteteve të Bashkuara, procedurë që u lejohet amerikanëve në gjykatat e vendeve të Bashkimit.

“Ne si evropianë po kërkojmë që qytetarët evropianë të kenë të njëtën të drejtë në Shtetet e Bashkuara që amerikanët kanë në Evropë”.

Megjithatë, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Napolitano u përgjigj duke thënë se kjo ishte një kërkesë e vështirë.

“Ka ekzistuar një mirëkuptim i përhershëm nëse një marrëveshje e tillë do të kërkonte që Kongresi amerikan të shqyrtonte Aktin e Privacisë në mënyrë që të jepet një formë tjetër zgjidhjeje ligjore për dëmshpërblime juridike që tashmë ekzistojnë. Mendoj se kjo është diçka e vështirë që të inkuadrohet në një lloj marrëveshjeje”.

Dy ekipe ekspertësh amerikanë dhe evropianë do të diskutojnë pikërisht balancën mes sigurisë kombëtare dhe lirive civile me shpresë që të arrijnë një marrëveshje të re për shtimin e bashkëpunimit ndëratlantik në luftën kundër terrorizmit global.

XS
SM
MD
LG