Lidhje

Ylli serb i tenisit Novak Gjokoviç, imazhi i ri i Serbisë

  • Henri Rixhuell

Ylli serb i tenisit Novak Gjokoviç, imazhi i ri i Serbisë

Ylli serb i tenisit Novak Gjokoviç, imazhi i ri i Serbisë

Serbët e lodhur nga përqëndrimi i medias botërore tek e shkuara e luftrave të vendit të tyre, po përjetojnë një krenari të përbashkët për një hero të ri që quhet Novak Gjokoviç. Ai u stërvit si adoleshent në periudhën kur Jugosllavia po përjetonte shpërbërjen kaotike të saj, dhe u rrit për të zënë vendin e parë në botë për tenisin dhe si rivali kryesor për turin amerikan që hapet në fund të këtij muaji. Por arrestimi i i dy ish gjeneralëve të luftës në ish Jugosllavi ka sjellë në vëmendje sërish konfliktet që ndanë Ballkanin në vitet 1990.

Jelena Gençiç ka jetuar përgjatë 7 dekadave të historisë së trazuar të vendit të saj. Me profesion të përkohshëm si trajniere, ajo nderohet si personi që zbuloi yllin më të madh të sportit serb. Zonja Gençiç përshkruan mometin kur ata u takuan për herë të parë.

“Pashë një djalë të vogël mbas kangjellave rrethuese të fushës, që shihte, e shihte gjithë mëngjesin. E pyeta “ E di ti se me çfarë merremi ne këtu? “Po tha - ai, - ju luani tenis".

“'Si e ke emrin?’ e pyeta.

“Novak Gjokoviç”, m'u përgjigj qartë e prerë”.

Imazhi i Novak Gjokoviçit zbukuron ndërtesat e Beogradit. Çdo ndeshje e tij shihet gjerësisht nëpër kafenetë buzë rrugëve. Nuk ishte një udhë e lehtë për të që të bëhej numri një në botë.

Ndërsa Gjokoviçi zbulonte talentin e tij për tenisin, Yugosllavia nisi shpërbërjen e përgjakshme në fillim të viteve 90.

Stërvitja e tij në adoleshencë zhvillohej ndërsa kishte nisur konflikti në Kosovë dhe bombat e NATO-s godisnin Beogradin. Tenistja Gençiç rrëfen se si ajo u dredhonte bombardimeve për të vazhduar stërvitjen e Gjokoviçit.

“Dëgjoja radion ku thuhej për shembull: U bombardua Banitsa. Ok, nesër do të stërvitemi atje".

"Jo – thoshte ai. Pse atje?"

"Sepse ata nesër do të bombardojnë një pjesë tjetër të qytetit. Kështu ndodhte. Dëgjoja radion në mëngjes dhe oroientohesha të gjeja vendet që ishin goditur”.

Ndërsa fitoret e Novak Gjokoviçit e kthyen vëmendje te Serbia, vendi përmendej edhe për arsye të tjera.

Arrestimi në muajin maj i ish gjeneralit serb Ratko Mlladiç dhe në korrik i ish gjeneralit serbo kroat Goran Haxhiç, ishin një kujtesë e dhimbshme për të kaluarën e dhunshme të vendit. Të dy u akuzuan për pjesmarrje në krimet e luftës gjatë konfliktit ballkanik.

Liljana Smajloviç është presidente e Shoqatës së Gazetarëve serbë. Ajo thotë se ka zemëratë përsa i pëket mënyrës se si Serbia trajtohet në median botërore.

“Gjokoviç është një njeri prej të cilit bota na sheh ne serbëve në një këndvështrim më të mirë se në të kaluarën. Në të njëjtën kohë ka elementë të fyerjes tek e gjitha kjo... shumica e njerëzve kur mendojnë për krimet serbe të luftës, mendojnë në mënyrë përçmuese për ne, ndikuar nga ajo çka thuhet gjerësisht në Perëndim, dhe nuk mendojnë nëse duhet që ne të përballemi me të shkuarën tonë”.

Arrestimi i Mlladiçit dhe Haxhiçit ka shtuar shpresat e Serbisë për t’iu bashkuar BE-së.

Por kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi Beogradin se ai duhet të bëjë përparim në bisedimet me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Liljana Smajloviç thotë se Serbia po lodhet nga kërkesat e Bashkimit Europian.

“Mendoj se ka mungesë të shpresës. Të dëgjosh që nuk ka mundësira nuk është diçka që të jep zemër. Tranzicioni ka qenë në shumë raste me humbje të punës, ose pamundësi për t’u punësuar”.

Beogradi nuk duket si një qytet i mbërthyer nga e shkuara e tij. Festivali i përvitshëm i birrës është një prej ngjarjeve të shumta të dekadës së fundit që tërheq vizitorë nga gjithë bota.

Por mungesa e interesimit të të rinjve për historinë aktuale të Serbisë shqetëson Miljenko Deretën, drejtues i një organizate joqeveritare, Inisiativa Qytetare.

“Ne kemi bërë një vëzhgim së fundmi, pasi kemi një program për të rinjtë. Jemi befasuar nga mungesa e informacionit që ata kanë. Ata nuk e dinë që ka patur luftë në Bosnje, dhe kjo është e pabesueshme. Ata nuk e kuptojnë pse gjykata e Hagës po gjykon njerëzit nga rajoni ynë sepse nuk kanë informacionin bazë për këtë rajon”.

Në klubin e tenisit, e veshur me uniformën e Beogradit, Jelena Gençiç po përgatit brezin e ardhshëm të yjeve serbë.

Të lindur 12 vjet më parë, kur mbi Beograd binin bombat e NATO-s, ata kanë vetëm një qëllim - të arrijnë heroin e tyre.

Si miliona njerëz anembanë Serbisë, ata duan të hedhin çdo hap si heroi i tyre Gjokoviç, në përpjekjet e tij për të fituar trofeun e turit amerikan të tenisit. Ai është njeriu i vetëm, i cili bashkon këtë vend duke dhënë imazhin e një Serbie të re.

XS
SM
MD
LG