Lidhje

SHBA: Çështja e borxhit krijon tensione të reja ndërpartiake

  • Majkëll Boumën

SHBA: Çështja e borxhit krijon tensione të reja ndërpartiake

SHBA: Çështja e borxhit krijon tensione të reja ndërpartiake

Në javët e ardhshme Kongresi Amerikan pritet të ngrejë kufirin e huamarrjes nga qeveria, duke i lejuar asaj të huazojë fonde shtesë dhe të paguaj detyrimet ndaj borxhit prej 14 trilionë dollarësh që ka vendi. Kongresi asnjëherë nuk ka votuar kundër kufirit të huamarrjes. Votimi kundër kësaj mase do të ishte veprim i rrezikshëm që mund të shkaktojë probleme të mëdha financiare. Por votimi kundër kësaj mase për ligjvënësit është më pak i pakëndshëm sesa dhënia e autorizimit për rritjen e borxhit të vendit. Votat gjithmonë janë objekt kritikash partiake në këtë kohë kur negociatat mes partive janë të vështira.

Me përjashtim të një periudhe të shkurtër në fund të viteve 1990, kur Shtetet e Bashkuara gëzonin suficit buxhetor, qeverisë federale i është dashur të marrë gjithnjë e më shumë hua për të mbuluar borxhin e akumuluar të defiçiteve vjetore. Dhe çdo herë që qeveria përballet me tavanin e huamarrjes, Kongresi duhet të ndërhyjë për të rritur kufirin e këtij tavani.

Zakonisht, partia në pushtet shërben si zëri i arsyes dhe i përgjegjësisë, duke u bërë thirrje ligjvënësve për të veprojnë siç duhet për të mbajtur gjallë qeverinë. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat Heri Rid, një nga udhëheqësit kryesorë të Partisë Demokrate të presidentit Barak Obama në Kongres, u shpreh kështu kohët e fundit:

“Nuk kemi rrugëdalje tjetër. Të gjithë në botë e pranojnë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të mos paguajnë detyrimet e borxhit. Ne kemi një kredi që duhet ta paguajmë”.

Por për partinë në pakicë, votimi për tavanin e borxhit ofron një mundësi për grindje partiake. Ja çfarë ka thënë senatori Rid si udhëheqës i pakicës në vitin 2006, kur republikanët kontrollonin senatin:

“Si mund t’ua shpjegoj shumica republikane në këtë Kongres zgjedhësve të tyre se borxhi i ri prej triliona dollarësh është gjë e mirë për ekonominë?”

Atë vit demokratët në senat votuan kundër rritjes së tavanit të borxhit, të bindur se shumica republikane do të kishte votat e nevojshme për të rritur kufirin e huamarrjes dhe shmangien e një krize fiskale. Mes atyre që votuan kundër kësaj mase ishte edhe senatori i atëhershëm Barak Obama, i cili argumentoi se ngritja e kufirit të borxhit përbënte një dështimit të udhëheqjes ekonomike nën presidentin e atëhershëm Xhorxh W Bush.

Sot, presidenti Obama i sheh gjërat ndryshe. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhej Karni u shpreh kështu për votimin e zotit Obama në vitin 2006:

“Presidenti shpreh keqardhje për votimin dhe mendon se ishte veprim i gabuar. Ai e kupton tani se ngritja e tavanit të borxhit është aq e rëndësishme për ekonominë e vendit dhe ekonominë globale sa që nuk duhet luajtur me të”.

Demokratët nuk janë të vetmit që kanë ndryshuar qëndrim për këtë çështje. Në vitin 2002, ligjvënësi republikan Majk Penc nga shteti Indiana mbajti një fjalim në Dhomën e Përfaqësusve para votimit për ngritjen e tavanit të borxhit:

“Kam ardhur këtu duke besuar si shumë njerëz që unë përfaqësoj, se nëse je në borxh, borxhi duhet ta paguash”.

Sot, shumë republikanë refuzojnë të angazhohen për ngritjen e tavanit të borxhit, për aq kohë sa presidenti Obama nuk bie dakord për shkurtime të mëdha të shpenzimeve në programet e mbështetura nga demokratët.

Ja si u shpreh anëtari i Kongresit Penc në fillim të këtij viti:

“Nuk do të mbështes rritjen e tavanit të borxhit pa marrjen e masave për ndryshme të vërteta të shpenzimeve”.

Analistët thonë se votimet në vija partiake mbi çëshjten e ngritjes së tavanit të borxhit nuk është diçka e re. Mark Golduein është drejtor i politikave në organizatën Komisioni për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm me seli në Uashington.

“Gjithnjë ka pasur konflikte politike rreth çështjes së borxhit. Dhe partia në pushtet gjithmonë voton për ngritjen e tavanit të borxhit, dhe partia në opozitë fajëson partinë në pushtet për krijimin e defiçitit. Por kjo nuk është një arsye për të mos shfrytëzuar tavanin e borxhit për t’u përqëndruar në çështje të borxhit. Ne duhet ta ngremë kufirin e borxhit, por duhet gjithashtu të fillojmë të mendojmë seriozisht rreth zgjidhjes afat gjatë të problemit të borxhit”.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kaluan kufirin e huamarrjes prej 14.2 trilionë dollarësh. Ekonomistët thonë se vendi mund të mos jetë në gjendje të paguaj detyrimet e tij nëse nuk ngrihet tavani i borxhit deri në muajin gusht.

XS
SM
MD
LG