Lidhje

Vrasja e civilëve afganë nxit debate për misionin amerikan në Afganistan

  • Zëri Amerikës

Vrasja e civilëve afganë për të cilën akuzohet një ushtar amerikan ka nxitur më shumë diskutime për të ardhmen e misionit amerikan në Afganistan. Kjo ngjarje dhe incidente tjera të kohëve të fundit ku janë përfshirë forcat amerikane kanë nxitur debate për një rishqyrtim të strategjisë së Uashingtonit për tërheqje nga Afganistani.

Demonstratat anti-amerikane në Afganistan janë në kontrast me situatën para një dekade, kur afganët i mirëpritën trupat amerikane dhe fundin e sundimit të talebanëve. Por shumë shpejt, Shtetet e Bashkuara përqendruan përpjekjet e tyre në Irak dhe si rezultat sipas disa analistëve ata neglizhuan Afganistanin. Ky konflikt është bërë lufta më e gjatë në historinë amerikane.

Dan Wagner, nënkolonel në pension i Korpusit të Marinsave Amerikanë, ka shkuar dy herë për të shërbyer në Afganistan. Turneu i tij i parë në Afganistan ishte në fillim të luftës.

“Ishte një ndjenjë optimizmi. Ne sapo kishim filluar misionin atje, filluam përpjekjet për ndërtimin e infrastrukturës dhe institucionet e qeverisjes, kështu që dukej sikur ishte një mundësi e mirë për të ndryshuar gjërat”.

Ky optimizëm u venit ndërkohë që lufta vazhdoi dhe mirëpritja e afganëve u shndërrua në protesta, veçanërisht pas incidenteve si djegia e paqëllimshme e Kuranit nga ana e forcave amerikane dhe vrasja e civilëve afganë për të cilën akuzohet një ushtar amerikan.

Nënkoloneli Wagner thotë se ai ka parë ndryshimin e qëndrimit të afganëve ndaj forcave amerikane.

“Ajo që pashë në vitin 2011, në turin tim më të fundit atje, kur unë takohesha me popullatën lokale, ishte një pesimizëm i madh. Unë them se atje kishte një ndjenjë më të madhe pasigurie dhe mosbesimi për angazhimin tonë afat-gjatë dhe për të ardhmen e tyre”.

Për trupat amerikane të këmbësorisë në Afganistan, mosbesimi dhe pakënaqësia në mesin e popullatës lokale është skenar i keq për ta pasi e bën të vështirë identifikimin e armikut.
Stresi i një lufte të gjatë dhe të ndërlikuar ka nxitur thirrje nga disa politikanë amerikanë për një tërheqje më të shpejtë. Disa prej tyre kanë theksuar se stresi në mes të forcave amerikane kontribuon në incidente si ai i fundit i ushtarit që hapi zjarr ndaj civilëve.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta ka shkuar në Afganistan dhe ka denoncuar veprimet e ushtarit që ka qëlluar në drejtim të civilëve afganë. Ai gjithashtu u zotua se nuk do të ketë ndryshim në strategjinë e Amerikës për transferimin e përgjegjësive mbi sigurinë tek forcat afgane deri në fund të vitit 2014.

Uashingtoni thotë se në përgjithësi përpjekjet kanë qenë të suksesshme, dhe më shumë se gjysma e Afganistanit tani është nën kontrollin e qeverisë.

Presidenti Barack Obama tha kohët e fundit se edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk po përshpejtojnë tërheqjen, ai nuk përjashton mundësinë e ndryshimeve të këtij plani.

“Ndërkohë, ne do të vazhdojmë punën për shkatërrimin e udhëheqjes së al-Kaidës dhe vendstrehimeve të tyre”.

Pas tërheqjes nga Afganistani në vitin 2014, Shtetet e Bashkuara thonë se do të mbështesin qeverinë afgane kryesisht përmes operacioneve të forcave speciale dhe operacioneve me aeroplanë pa pilot.

Kjo është pjesë e një strategjie të re që përfshin angazhim aktiv me udhëheqjen afgane, por me një prani më pak të dukshme.

XS
SM
MD
LG