Lidhje

SHBA: Rriten polemikat mbi ligjet e armëmbajtjes


Një prokuror i posaçëm në Florida tha se juria e madhe nuk do të marrë në shqyrtim vrasjen me armë zjarri të një të riu afrikano-amerikan të paarmatosur nga një vullnetar hispanik në një lagje të banuar nga të bardhët. Sipas ligjit të Floridës, ky vendim eliminon mundësinë e ngritjes së akuzave për vrasje me paramendim dhe ia lë prokurores Angela Corey vendimin për të ngritur ndonjë akuzë tjetër. Deri tani, personi që kreu vrasjen nuk është arrestuar apo akuzuar për krim për shkak të një ligji të Floridës, sipas të cilit një person ka të drejtë t’i përgjigjet forcës me forcë. Kjo çështje ka ringjallur debatin kombëtar lidhur me ligjet për armët.

Vullnetari për mbrojtjen e lagjes, George Zimmerman, thotë se e qëlloi 17-vjeçarin Martin Trayvon për vetëmbrojtje, gjatë një konfrontimi dhe pasi i kishte telefonuar policisë për të raportuar një person të dyshimtë. NATS Çështja ka vënë në qendër të vëmendjes ligjin e Floridës, i cili u jep njerëzve të drejtën për t’u vetëmbrojtur me forcë vdekjeprurëse, edhe jashtë shtëpive të tyre.

Zimmerman i tha policisë se ai e qëlloi adoleshentin pasi ky e goditi me grusht dhe ia përplasi kokën në trotuar. Autoritetet nuk e kanë akuzuar Zimmermanin për ndonjë krim për shkak të ligjit. Por ish-Guvernatori i Floridës Jeb Bush, i cili e ka nënshkruar ligjin në vitin 2005, nuk mendon se kjo vlen për rastin e adoleshentit Martin Trayvon.

"Ky ligj do të thotë t’i përgjigjesh forcës me forcë por nuk nënkupton ta ndjekësh dikë pasi ai të ka kthyer shpinën."

Mbështetësit e ligjit thonë se ai ka ulur krimin e dhunshëm dhe mbron qytetarët që përpiqen të vetëmbrohen. Greg Stone është për zgjerimin e ligjeve mbi të drejtën e armëmbajtjes.

"Është provuar sa e sa herë se ky ligj na bën më të sigurt. Një shoqëri e armatosur është një shoqëri e sjellshme".

Daniel Gros i Qendrës Brady për parandalimin e dhunës me armë nuk është dakord. Ai tha në Kongres se ligji duhet rishikuar me kujdes.

"Në Florida autoritetet nuk kanë të drejtë t’ua revokojnë lejen e armës edhe atyre që kanë vrarë njerëz të paarmatosur, çka është bërë alarmante në shtete si Florida. Ky ligj do të thotë: Në fillim qëllo pastaj bëj pyetje".

Të dhënat në Florida tregojnë se numri i vrasjeve të justifikueshme është trefishuar në pesë vitet e para që nga miratimi i ligjit. Ja si shprehet avokati mbrojtës Kendell Coffey.

"Mënyra se si po zbatohet ligji dhe se si po reagon juria është njësoj si të japësh leje për të vrarë sa herë që dikush pretendon se vepron për t’u vetë-mbrojtur dhe nuk ka dëshmitarë okularë".

Ish senatori i shtetit Florida, Durell Peaden, i cili ndihmoi në përgatitjen e ligjit, thotë se ligji nuk kishte për qëllim të lejonte abuzimin. Durell Peaden, ish-senator i shtetit Florida "Ky ligj nuk ka të bëjë aspak me vetëgjyqësinë, ai nuk thotë që mund të ndjekësh dikë apo të vrasësh dikë me paramendim. Këto çështje nuk janë trajtuar në këtë ligj.

" Më shumë se gjysma e shteteve amerikane kanë ligje të ngjashme. Është e paimagjinueshme të mendosh se dikush mund të bëjë vrasje dhe të thotë se e bëri për vetmbrojtje".

Polemika vazhdon. Shumë prej demonstruesve të cilët kanë dalë në rrugë pas vrasjes së të riut Trayvon Martin, shpresojnë se ligjvënësit do ta shohin çështjen nga afër dhe t’i rishikojnë ligjet.

XS
SM
MD
LG