Lidhje

Sulmi ndaj presidentit Regan ndryshoi taktikat e mbrojtjes


Më 30 Mars, 1981 Presidenti Ronald Regan u qëllua me armë zjarri ndërsa largohej nga një hotel në Uashington. Presidenti dhe tre të tjerë, përfshirë agjentin sekret Tim McCarthy u plagosën rëndë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh foli me agjentin McCarthy për ditën që i ndryshoi jetën dhe se si e mbron Shërbimi Sekret presidentin.

Agjenti i Shërbimit Sekret Tim McCarthy kishte dy alternativa në mëngjesin e 30 marsit 1981, të merrej me dokumenta në zyrë, apo të shkonte me Presidentin Regan në një udhëtim ku ai do të jepte një fjalim.

“Kështu, shefi i turnit në vend që të caktonte njërin nga ne, hodhi monedhën për short sepse njëri nga ne duhet të shkonte”.

McCarthy e humbi shortin.

Pas disa orëve, ai mban mend se po vëzhgonte turmën ndërsa zoti Regan doli nga hoteli pas fjalimit.

“Po shihja Presidentin, kur papritur John Hinckley që ishte në anën e majtë të kordonit, u shty përpara”.

Hinckley vuri në shënjestër presidentin dhe qëlloi me revolver.

“Unë nuk e pashë se kush e kishte armën, sepse ndodhi shumë shpejt. Por nga drejtimi i tingullit dhe tymit, e kuptova se nga erdhën krismat”.

Krisma të tjera vazhduan dhe njëri prej plumbave bëri rikoshetë pasi goditi limuzinën e Presidentit Regan. Ndërsa makina iku me shpejtësi dhe iu largua kaosit, u mor vesh që presidenti Regan ishte plagosur nga plumbi që bëri rikoshetë. Sapo mbaroi shkëmbimi i zjarrit, oficerët e kapën Hinckley-n. Tre persona përreth Presidentit Regan ishin plagosur, përfshirë Sekretarin e Shtypit James Brady dhe agjentin McCarthy.

“Unë u plagosa në kraharor dhe plumbi depërtoi në mushkëri, mëlçi dhe diafragmë dhe fotografia më tregon me tregon me dorën në bark, sepse dhimbjen e ndjeva kur plumbi preku mëlçinë, por unë u godita në kraharor”.

Sekretari i Shtypit Brady u plagos rëndë, por mbijetoi, ashtu si edhe oficeri i policisë Thomas Delehanty.

Edhe Presidenti Regan e mori veten por McCarthy thotë se incidenti ishte një sinjal alarmi për Shërbimin Sekret.

“Pas asaj ngjarjeje, detektorët filluan të përdoren për këdo që i afrohet presidentit. Trashëgimia pas asaj ngjarjeje, është se nuk ka pasur asnjë sulm tjetër ndaj ndonjë presidenti nga vrasës me profilin e njohur të njeriut të vetmuar të armatosur që i afrohet presidentit me armë dhe përpiqet ta vrasë atë”.

John Hinckley Junior u shpall jo fajtor për arsye të problemeve mendore. Ai është ende në një institucion për të sëmurë mendorë.

Lumuzina me të cilën u dërgua presidenti Regan në spital, është tani më Muzeun Henry Ford në Dearborn në Miçiganit. Dëmi i shkaktuar nga plumbi i Hinckley-t u riparua pak pas atentatit.

Megjithëse incidenti ndodhi më shumë se 30 vjet të shkuara, sulmi krijoi një marrëdhënie të fortë mes presidentit dhe mbrojtësit të tij.

“Presidenti dhe zonja Regan ishin shumë mirënjohës dhe shumë të dashur me mua dhe me familjen time që nga ajo ditë”.

Pasi u shërbeu edhe dy presidentëve të tjerë McCarthy doli në pension nga shërbimi sekret në vitin 1993. Ai është aktualisht shefi i departamentit të policisë të parkut Orlando në rrethinat e Çikagos.

XS
SM
MD
LG