Lidhje

Një betejë e re politike për miratimin e një ligji për nivelin e borxhit

  • Majkëll Boumën

Një betejë e re politike për miratimin e një ligji për nivelin e borxhit

Një betejë e re politike për miratimin e një ligji për nivelin e borxhit

Vetëm pak ditë pas betejës së ashpër dhe të ndezur partiake lidhur me shpenzimet federale dhe miratimit më pas të ligjit për financimin e qeverisë amerikane deri në shtator të këtij viti, një betejë e re është hapur lidhur me problemet afat-gjata fiskale të Amerikës. Demokratët dhe republikanët kanë ofruar opsione të ndryshme për të reduktuar deficitin federal prej 1.5 trilionë dollarësh dhe për t’i prerë rrugën thellimit të borxhit kombëtar prej 14 trilionë dollarësh. Një ndër faktorët që e ndërlikon këtë përpjekje është nevoja për të rritur nivelin tavan të shumës që qeveria amerikane mund të marrë borxh për të paguar detyrimet financiare:

Ashtu si çdo qeveri që harxhon me shumë se grumbullon në të ardhura, qeveria amerikane merr borxh shumën që i nevojitet për të mbyllur boshllëkun në buxhet. Kjo shumë që mund të merret borxh kufizohet nga një ligj i quajtur “niveli tavan i borxhit”. Herë pas here Kongresit i duhet të miratojë një nivel të ri tavan më të lartë për të lejuar huazimin e një shume më të madhe. Mosngritja e këtij niveli tavan mund ta bëjë të pamundur që qeveria të shlyejë detyrimet e saj ndaj kredi-dhënësve, përfshirë ndaj vendeve të tjera si Kina.


Vetëm pak javë nga ky moment, qeveria amerikane do të ndeshet përsëri me problemin e nivelit tavan të borxheve. Por rritja e këtij niveli tavan ka rreziqe politike. Në të kaluarën, ligjvënësit demokratë dhe republikanë kanë ngritur zërin kundër kësaj praktike. Një ndër ta ishte zoti Barak Obama para se të bëhej president.

Në 2006, zoti Obama, atëherë senator, votoi kundër ngritjes së këtij niveli duke thënë se një akt i tillë përbënte dështim të udhëheqjes në Uashington, duke nënkuptuar adminitratën e presidentit Bush.

Zoti Obama ka kërkuar ndjesë për atë koment, duke e cilësuar gabim. Shtëpia e Bardhë i ka bërë thirrje Kongresit ta ngrejë nivelin për të qetësuar tregun kreditor dhe për të shmangur shqetësimet se Amerika mund të mos përmbushë detyrimet e saj. Sekretari i Thesarit Timothi Gajtner shprehet optimist:

"Kongresi do ta ngrejë nivelin tavan për borxhin. Udhëheqësit në Kongres e kanë të qartë se Amerika duhet të përmbushë detyrimet e saj”.

Sekretari i Thesarit tha në emisionin “This Week” të rrjetit ABC se udhëheqësit në Kongres e kishin siguruar Presidentin Obama se do të vepronin për ta realizuar ngritjen e nivelit.

Por republikanët, të cilët kontrollojë Dhomën e Përfaqësuesve, kanë vendosur një kusht për këtë votë. Ata kërkojnë një marrëveshje me demokratët dhe Shtëpinë e Bardhë lidhur me uljen e shpenzimeve federale. Ligjvënësi republikan Pol Rajan i bëri komentet në një intervistë për rrjetin CBS:

"Askush nuk do të bëjë lojëra me kredibilitetin financiar të vendit. Askush nuk do që Amerika të mos paguajë detyrimet. Por gjithashtu duhet të tregohemi më seriozë në marrjen e borxheve në të ardhmen, ndërkohë që përballemi me nevojën për të rritur nivelin tavan mbi shumën e huazuar. Nuk duhet ta lëmë në harresë problemin e shpenzimeve. Pikërisht kjo është arsyeja që kemi probleme nga borxhet”.

Demokratët thonë se janë të angazhuar seriozisht për uljen e deficitit, por paralajmërojnë se kushtëzimi i rritjes së nivelit tavan të borxhit me negociatat mbi buxhetin do të çonte në shkatërrim financiar.

Nëse republikanët nuk lëvizin nga kërkesa për marrëveshje mbi uljen e deficitit, duke penguar votimin mbi ngritjen e nivelit tavan të borxhit, mund të kemi përpara acarime edhe më të forta të tonit dhe klimës politike në Uashington.

XS
SM
MD
LG