Lidhje

Presidenti Obama përgatitet për negociatat mbi nivelin kombëtar të borxhit

  • Majkëll Boumën

Presidenti Obama përgatitet për negociatat mbi nivelin kombëtar të borxhit

Presidenti Obama përgatitet për negociatat mbi nivelin kombëtar të borxhit

Sot Presidenti Barak Obama do të angazhohet drejtpërdrejt në negociatat lidhur me borxhin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që ndezen debatet për rritjen e nivelit tavan të borxhit që mund të marrë vendi. Presidenti pritet të zhvillojë takime kokë-më-kokë me udhëheqës demokratë dhe republikanë në Senat, pak ditë pasi një ndër republikanët më me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve braktisi bisedimet që po drejtonte nënpresidenti Xho Bajden mbi këtë temë. Korrespondenti Michael Bowman njofton:

Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të mos paguajnë këstet e borxhit prej 14 trilionë dollarësh nëse Kongresi nuk rrit nivelin tavan mbi borxhin brenda pak javësh. Republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, këmbëngulin se duhet të bien ndjeshëm ritmet me të cilat Shtetet e Bashkuara marrin borxh, nëse kërkojnë votën e tyre për të miratuar rritjen e nivelit tavan të borxhit.

Ligjvënës nga të dyja partitë pohojnë se pozita fiskale e Amerikës duhet të përmirësohet. Por gjetja e një zgjidhjeje nuk duket e lehtë. Republikanët kërkojnë reduktime të thella në shpenzimet qeveritare, pa rritje taksash. Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Miç Mekonell thotë se do t’ia paraqesë Presidentit Obama këtë qëndrim gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë:

"Kemi bërë shpenzime të tepruara. Ky fakt përbën problem dhe problemi nuk është që nuk taksojmë sa duhet”.


Zoti Mekonell i bëri komentet për rrjetin televiziv ABC.

Demokratët i akuzojnë kolegët republikanë se po e mbajnë peng këtë debat me synimin për të miratuar axhendën e tyre ultra-konservatore, që përndryshe nuk do të miratohej asnjëherë. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Heri Rid u takua me Presidentin Obama për të diskutuar këtë temë:

"Republikanët duhet të heqin dorë nga kjo lojë e rrezikshme dhe të mos na shtyjnë as ne drejt pikës ku nuk mban më”.

Pika së cilës i referohet Senatori Rid është dështimi nga ana e Amerikës për të paguar këstet e borxhit. Demokratët pohojnë se shpenzimet federale duhen shkurtuar, por shtojnë se kjo alternativët në vetvete nuk ofron zgjidhje për problemet e Amerikës. Ata thonë se kësaj zgjidhjeje duhet t’i shtohet edhe një rritje taksash.

Ligjvënësi demokrat Xhejms Klajbërn nga Karolina e Jugut thotë se për të rritur të ardhurat qeveritare, duhet të eliminohen shkurtimet e taksave që deri tani u janë ofruar disa industrive:

"Rritje taksash quhet vetëm kur rritet përqindja e taksimit. Nuk po kërkojmë rritje taksash në këtë rast. Duam vetëm që të realizohet një mbledhje efiçente taksash, të mbyllen shtigjet që janë lejuar duke rezultuar në lehtësime taksash prej miliarda dollarësh”.

Republikanët përgjigjen duke argumentuar se rritja e taksave, pavarësisht nga vijnë këto taksa, do t’u hapë rrugën shpenzimeve më të mëdha qeveritare.

Lufta e fjalëve në këtë atmosferët tepër të elektrizuar në Uashington e ka bërë të vështirë arritjen e një kompromisi. Guvernatori i Nju Xhersit Kris Kristi, i cili arriti një marrëveshje të vështirë mbi buxhetin me legjislaturën e shtetit të tij, të kontrolluar nga demokratët, ofron recetën e tij për zgjidhjen e problemit:

"Ne nuk u morëm me demagogji. Ajo që ndodh në Uashington, dhe për të cilën do të fajësoja të dyja partitë, është se po merren me demagogji. Prandaj është thuajse e pamundur të ulesh në një tryezë e të gjesh zgjidhje për problemet”.

Ekonomistët thonë se dështimi për të paguar këstet e borxhit amerikan mund të rezultojë në një krizë globale financiare, duke e çuar prapa edhe ekonominë amerikane. Nëse ky kërcënim do të arrijë ta eliminojë shpirtin partiak në këto diskutime, do të provohet në javët e ardhshme.

XS
SM
MD
LG