Lidhje

Problemet e organizatave të bamirësisë dhe pasojat tek familjet


Problemet e organizatave të bamirësisë dhe pasojat tek familjet
Problemet e organizatave të bamirësisë dhe pasojat tek familjet

Strehimi i të pastrehëve, ushqimi i të varfërve, trajtimi i të sëmurëve... në shumë vende të zhvilluara janë shërbime të ofruara nga agjencitë qeveritare. Por në Shtetet e Bashkuara, shumë akte bamirësie ndërmerren nga shoqatat e bamirësisë. Përgjatë gjithë Shteteve të Bashkuara, këto organizata po u afrohen javëve të fundit të vitit 2011 me shqetësim të madh.

Për herë të parë në jetën e saj, Xhameka Usher është e pastrehë. Që nga muaji prill, kur familja e saj u nxor nga shtëpia, ajo dhe katër fëmijët e saj kanë jetuar në dhoma të ofruara nga organizata e krishterë e bamirësisë Salvation Army, Ushtria e Shpëtimit. Familja Usher është një ndër familjet e shumta të varfëra amerikane, që nuk fitojnë mjaftueshëm për t’u vetëmbajtur.

“Nuk bëhej fjalë vetëm për mua. Unë kam katër fëmijë që presin prej meje, prandaj ishte një situatë e frikshme. Nuk dija kujt t’i kërkoja ndihmë.”

Vitet e fundit ekonomikisht të trazuar kanë qenë të frikshme për shumë amerikanë, por edhe për agjencitë pa qëllim-fitimin që ndihmojnë ata. Në bazën e Ushtrisë së Shpëtimit në qytetin Neshvill, kërkesat për ndihmë janë katërfishuar, diçka kjo e paprecedent për oficerin me 45 vjetë përvojë në krye të saj, Nënkolonelin Carls Uajt.

“Para pak ditësh dikush erdhi në zyrën tonë dhe tha, “Ndihem shumë në siklet që erdha këtu... Vitin që shkoi unë po jepja kontributin tim për Ushtrinë e Shpëtimit, por tani kam ardhur sepse unë vetë kam nevojë për ndihmë.”

Ndërkohë që gjithmonë e më shumë familje si familja Usher kërkojnë strehim dhe ndihmë, shoqatat e bamirësisë vërejnë një rënie të dhurimeve private dhe të mbështetjes qeveritare. Zoti White thotë se Neshvill sapo humbi mundësinë e marrjes së një fondi qeveritar prej 400 mijë dollarësh dhe ai shqetësohet se shkurtime të tjera do të vijojnë.

Tasha Kenard punon për degën e organizatës së bamirësisë Second Harvest Food Bank - Të Korrat e Dyta - në Neshvill, e cila ofron ushqime falas për më tepër se 400 mijë njerëz të varfër në shtetin Tenesi. Ajo është gjithashtu e shqetësuar.

“Fondet shtetërore dhe federale janë në rënie. Dhuruesit janë në vështirësi sepse ata kanë ndihmuar gjatë këtyre tre viteve të rëndë, duke arritur një pikë në të cilën mund të mos jenë më në gjendje të dhurojnë në nivele të larta".

Kjo i shqetëson organizatat si Të Korrat e Dyta dhe Ushtria e Shpëtimit, sepse dy muajt e fundit të vitit përbëjnë zakonisht kohën kur amerikanët kryejnë dhurimet e tyre më të mëdha gjatë vitit.

Megjithatë, zonja Kenard thotë se ka edhe lajme të mira, si fakti që organizatat e bamirësisë kanë mësuar të jenë efikase me aq sa zotërojnë.

“Ne na duhej të ishim novatorë. Na u desh të bashkëpunonim më tepër se kurrë më parë. Prandaj, organizata jonë është bërë shumë më e aftë për të shërbyer komunitetin, në mënyra që ne nuk mendonim se ishin të mundura dhe për të cilat jemi krenarë.”

Edhe Xhameka Usher ndihet disi krenare. Ajo së fundmi, përfundoi studimet e shkollës së mesme dhe tani po ndjek disa leksione mbi administrimin e financave. Ajo sheh ndryshime pozitive edhe tek fëmijët e saj.

“Ata tani e kuptojnë që duhet vlerësuar ajo që ke. Unë mendoj se ky mësim do të na shërbejë shumë. Dhe unë mendoj se ky vend na ka afruar më tepër me njëri-tjetrin.”

Zonja Usher thotë se familja e saj ka mësuar edhe të jetë e duruar. Është një veti që atyre, dhe organizatave që i ndihmojnë ata, do t’u duhet të përdorin shpesh, ndërkohë që ekonomia amerikane përpiqet të rimëkëmbet nga një situatë tejet e vështirë.

XS
SM
MD
LG