Lidhje

Dhoma amerikane e Tregtisë kërkon më shumë politika pro biznesit


Dhoma amerikane e Tregtisë kërkon më shumë politika pro biznesit
Dhoma amerikane e Tregtisë kërkon më shumë politika pro biznesit

Dhoma amerikane e Tregtisë thotë se ekonomia ka filluar të japë shenja jete. Por sipas kësaj organizate biznesi, ekonomia më e madhe në botë është ende në rritje shumë të ngadaltë. Dhoma e Tregtisë, e cila përfaqëson më shumë se tre milionë kompani amerikane, shton se këtë vit, që është vit zgjedhjesh, nuk ka gjasa që në këtë aspekt të arrihet shumë. Por ajo i bën thirrje ligjvënësve të miratojnë politika që synojnë krijimin e sa më shumë vendeve të punës.

Në fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e bizneseve amerikane, Presidenti i Dhomës së Tregtisë, Thomas Donohue thotë se ekonomia është duke u përmirësuar. Por sipas tij, rritja nuk është aq e shpejtë sa të ulë ndjeshëm papunësinë.

Thomas DONOHUE, President i Dhomës amerikane të Tregtisë
"Ne mendojmë se, për fat të keq, ekonomia do të ngadalësohet në muajt e parë të vitit 2012. Ne presim rritje mesatare prej 2.5 përqind ose më pak në gjysmën e parë të vitit dhe pastaj në varësi të veprimeve të qeverisë, ajo mund të arrijë në 3% deri në fund të vitit."

Duke patur parasysh se disa ligjvënës do të përballen me vështirësi për t’u rizgjedhur, thotë Bruce Josten, i sektorit për çështjet qeveritare, Dhoma e Tregtisë do të lobojë mjaft në Kongres që ai të miratojë politika miqësore ndaj biznesit.

"Në disa aspekte lufta politike do të fitojë përparësi ndaj hartimit të politikave. Ne shpresojmë ta ndryshojmë këtë."

Ndër përparësitë kryesore të Dhomës është ndërtimi i tubacionit Keystone XL prej 3.000 kilometrash, i cili do të transportojë më shumë se 700.000 fuçi naftë kanadeze në ditë për rafineritë e Teksasit. Zoti Donohue thotë projekt prej 7 miliard dollarësh do të përmirësojë sigurinë eenergjitike të vendit dhe do të krijojë mijëra vende të reja pune.

"Projekti ka kaluar çdo test të mjedisit. Nuk ka asnjë arsye për ta vonuar ndërtimin e tij."

Megjithë miratimin nga të dyja partitë për tubacionin, Presidenti Barak Obama është nën trysninë e madhe të ambientalistëve për ta eliminuar projektin. Dhoma e Tregtisë, e cila këmbëngul se nuk përzihet me politikat presidenciale, thotë se do të ngulë këmbë pranë presidentit për të mos i ndryshuar planet. Ajo gjithashtu i qortoi disa nga kandidatët republikanë për kritikat që ata i kanë bërë të kaluarës si biznesmen të zotit Mitt Romney, i cili kryeson garën presidenciale mes republikanëve.

XS
SM
MD
LG