Lidhje

SHBA: Një gjykatë apeli hap dritën e gjelbër për kërkime me qeliza embrionale


SHBA: Një gjykatë apeli hap dritën e gjelbër për kërkime me qeliza embrionale
SHBA: Një gjykatë apeli hap dritën e gjelbër për kërkime me qeliza embrionale

Një gjykatë amerikane apeli thotë se administrata Obama mund të vazhdojë të financojë kërkimet me qeliza embrionale, duke hedhur poshtë një vendim të mëparshëm që do të kishte penguar mbështetjen financiare nga qeveria federale për kërkime të tilla.

Gjykata vendosi dje se fondet qeveritare për kërkimet me qeliza embrionale nuk përbëjnë shkelje të ndonjë ligji ekzistues amerikan.

Ky zhvillim shpall të pavlefshëm vendimin e mëparshëm të një gjykatësi federal në një çështje gjyqësore pas padisë së ngritur nga dy studiues që ishin kundër përdorimit të këtyre qelizave në kërkime. Gjykatësi kishte dhënë urdhër për ndalimin e përkohshëm të fondeve qeveritare, por vendimi i tij u pezullua dhe vazhdoi lëvrimi i fondeve ndërkohë që çështja shqyrtohej nga gjykata e apelit.

Studiuesit që paraqitën fillimisht padinë kanë të drejtën ta apelojnë çështjen pranë Gjykatës së Lartë.

Presidenti Barak Obama mbështet kërkimet me qeliza embrionale dhe ka zgjeruar financimin për projekte të tilla kërkimore.

Qelizat embrionale merren nga embrione njerëzore që janë abortuar dhe që mund të shërbejnë për të prodhuar çdo lloj indi të trupit. Kundërshtarët e konsiderojnë procesin si shkatërrim të një jete njerëzore.

XS
SM
MD
LG