Lidhje

Diskutime SHBA-Izrael mbi planet izraelite kundër Iranit


Diskutime SHBA-Izrael mbi planet izraelite kundër Iranit
Diskutime SHBA-Izrael mbi planet izraelite kundër Iranit

Administrata Obama po diskuton me zyrtarë izraelitë dhe po ndjek zhvillimet për një sulm të mundshëm izraelit ndaj Iranit për programin e tij bërthamor. Njoftimet bëjnë të ditur se zyrtarët amerikanë shpresojnë se izraelitët do të lejojnë më shumë kohë që sanksionet e Perëndimit kundër Iranit të japin ndikimin e tyre.

A do ta përdorë Izraeli fuqinë e tij ushtarake kundër Iranit? Shteti hebraik e konsideron programin bërthamor të Iranit si kërcënim. Të njëjtin qëndrim mbajnë Shtetet e Bashkuara:

“Mos e vini në dyshim: Amerika është e vendosur të parandalojë Iranin në përpjekjet për të siguruar armë bërthamore. Unë nuk përjashtoj asnjë alternative në përmbushjen e këtij synimi,” tha Presidenti Obama.

Analistët besojnë se Irani mund të ketë një sasi të mjaftueshme uraniumi të pasuruar për të prodhuar bombën brenda një viti. Irani thotë se programi i tij bërthamor ka synimi paqësore, por kohët e fundit njoftoi se po pasuron uranium në një central nëntokësor.

Megjithatë, pikëpamjet e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, janë mjaft të qarta:

“Regjimi zionist është një tumor kanceroz në këtë rajon që duhet hequr dhe do të hiqet”.

Izraeli shqetësohet se së shpejti mund të jetë tepër vonë për të penguar Iranin në përpjekjet për prodhimin e bombës. Robert Satloff i Institutit të Uashingtonit:

“Për fat të keq, konflikti është shumë i mundshëm, pasi Irani vazhdon të kundërshtojë prerazi të ndjekë vullnetin e çdo vendi tjetër në botë”.

Zoti Satloff beson se ka gjasa që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në çdo formë konflikti me Iranin:

“Angazhimi ynë i prerë ndaj sigurisë së Izraelit ka nënkuptuar bashkëpunimin më të ngushtë ushtarak mes dy vendeve tona në histori,” the Presidenti Obama.

Shtetet e Bashkuara kanë furnizuar Izraelin me bomba që shkatërrojnë bunkerët, të projektuara për të shkatërruar objektiva thellë nën tokë, siç janë objektet iraniane për pasurimin e uraniumit. Aleatët perëndimorë shpresojnë se sanksione të reja më të forta ndaj bankave iraniane dhe industrisë iraniane të naftës do ta bëjnë Iranin të rezervohet.

Por udhëheqësi i lartë i Iranit thotë se Teherani nuk do të tërhiqet:

“Ky kërcënim për luftë nuk është në favor të Shteteve të Bashkuara. Lufta aktuale do të jetë 10 herë më pak në favor të Shteteve të Bashkuara”.

Irani ka arsenalin më të madh të raketave balistike në Lindjen e Mesme dhe ka kërcënuar t’i përdorë ato. Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak thotë se Izraeli nuk do të presë shumë për tërheqjen e Iranit:

“Sot, ndryshe nga e kaluara, ekziston një mirëkuptim i gjerë se nëse sanksionet nuk arrijnë synimin e dëshiruar për të ndalur programin bërthamor ushtarak, do të lindë nevoja të shqyrtohen alternativat ushtarake”.

Njoftohet se Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta beson se Izraeli mund të sulmojë Iranin brenda disa muajsh. Ndërkaq, media amerikane njofton se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet lidhur me periudhën kohore që do t’i lejojnë Iranit.

XS
SM
MD
LG