Lidhje

Nju Jork: Konkurs për zbulimin e sekreteve të jetëgjatësisë

  • Zëri Amerikës

Nju Jork: Konkurs për zbulimin e sekreteve të jetëgjatësisë

Nju Jork: Konkurs për zbulimin e sekreteve të jetëgjatësisë

Sekreti i jetëgjatësisë është objekti i studimit të një fondacioni i cili, ka shpallur një konkurs të veçantë për studimin e hartës gjenetike. Objekt i studimit do të jenë 100 njerëz të cilët kanë jetuar më shumë se një shekull.

Shkencëtarët do të studiojnë AND-në e tyre për të kuptuar arsyet e jetëgjatësisë.

Xhorxh Eberhart mbushi 107 vjeç muajin e kaluar dhe shkencëtarët do të donin të dinin se si ai dhe njerëz si ai mund të arrijnë këtë jetëgjatësi. Për të studiuar këtë element, shkencëtarët kanë marrë disa mostra të ADNs- së tij. Ai është një prej 100 njerëzve që kanë mbushur 100 vjeç, të cilët janë pjesë e një studimi në Nju Jork, që synon të plotësojë hartën gjenetike, duke deshifruar ADN-në e plotë të një personi.

Shkencëtarët mendojnë se ADN-ja e plotë e një personi të moshur, por të shëndetshëm, mund të japë një gjurmë ku mund të ecet për të arritur në përfundimin se pse ata jetojnë kaq gjatë. Dhe kjo mund të ndihmojë shkencëtarët në shpikjen e ilaçeve që do të ndihmonin pjesën tjetër të njerëzve të jetonin për kohë të gjatë pa sëmundje.

“Ne kemi të gjitha provat e mundshme për të treguar se pse gjenet luajnë një rol shumë të rëndësishëm tek këta individë. Ndikimi i tyre bëhet edhe më i fortë në disa mosha të caktuara dhe ne kemi menduar se për të zbuluar këto gjene mbrojëtse duhet të studiojmë njerëzit e moshuar”, thotë Dr. Tomas Perl, shkencëtar në Universitetin e Bostonit.

Ai ka ndihmuar në gjetjen e disa prej njerëzve që kanë jetuar më se një shekull, për të marrë pjesë në konkursin “Çmimi X” të fondacionit me të njëjtin emër. Fondacioni “Çmimi X”, i mirënjohur për konkurrimet për hapësirën, ofron 10 milion dollarë për shkencëtarët që deshifrojnë kodin e plotë të ADN-së së 100 njerëzve në moshë më të shtyrë se 100 vjeç. Pjesmarrja në këtë konkurrim do të vlerësohet bazuar tek saktësia, plotësia e studimeve, shpejtësia si dhe kostoja e hartimit të kodit të ADN-së.

Një prej studiuesve të hershëm të gjeneve J. Kreg Venter thotë se projekti i studimit me të moshuar që kanë jetuar më shumë se një shekull është hapi i parë për të zbuluar sekretet gjenetike të një jete të gjatë e të shëndetshme.

“Aktualisht nuk egziston teknologjia që të jetë e aftë të fitojë Çmimin X. Dy teknologjitë ekzistuese për të studiuar hartën gjenetike të një njeriu, mund të japin rezultate të ndryshme. Dhe për të plotësuar hartën gjenetike të një njeriu në nivelin diagnostikues, duhet që saktësia të jetë shumë e lartë se sa e tanishmja, të kryhet më shpejt si dhe të ketë kosto më të ulët. Këto janë piksynimet që ne kemi për çmimin X, në përpjekje për të drejtuar studimet në fushën e duhur”.

Shpresa për këtë studim janë njerëzit si 107 vjeçari Xhorxh Eberhard.

Ai është nga Nju Xhersi dhe deri në moshën 94 vjeçare ai ka luajtur dhe ka dhënë mësime tenisi. Nuk dihet nëse gjenet e tij mund të na ndihmojnë, pasi në familjen e tij askush nuk e ka arritur moshën 100 vjeçare dhe ai mendon se vetëm një çift ka arritur deri tek të 90-tat.

Por pse ai ka jetuar kaq gjatë?

“Në rastin tim, unë mendoj se çelësi i jetëgjatësisë ka qenë gruaja ime martesa prej 70 vjetësh me të.” Bashkëshortja e tij përmend si sekret të jetëgjatësisë interesat e tij të shumta si që nga montimi i radiove si fëmijë e deri tek kariera në elektronikë.

Por ai mendon se mënyra e të ushqyerit, sidomos mëngjesi, kanë ndikuar në jetëgjatësinë e tij.

“Unë kam ngrënë gjithmonë 8 kumbulla të thata dhe pak çaj çdo mëngjes, e më pas drithëra të përpunuar. Ndonjë herë gruaja ime më bënte edhe dy vezë të skuqura për mëngjes.”

Por shkencëtarët mendojnë se jetëgjatësia ka të bëj me diçka më tepër se kaq.

Robert Ueis është president i Çmimit X.:

“Gjithë sistemi ynë shëndetësor nuk bazohet tek shëndeti dhe profilaksia, ai është i bazuar tek sëmundjet dhe mënyra se si ne i kurojmë sëmundjet. Ky konkurs përpiqet të kthejë vëmendjen tek modelet që na mësojnë se si të jemi të shëndetshëm dhe si t’a mbajmë shëndetin tonë”.

Fondacioni “Çmimi X” do të mbledhë kodin gjenetik deri më 3 janar të viti 2013, kur grupet e studiuesve do të dorëzojnë përfundimet e tyre me 100 njerëzit e moshës mbi 100 vjeç. Vlerësimet e tij do të jepen një muaj më vonë në 3 shkurt të vitit 2013.

XS
SM
MD
LG