Lidhje

Debati mbi buxhetin vazhdon të përkufizojë politikën amerikane


Debati mbi buxhetin vazhdon të përkufizojë politikën amerikane
Debati mbi buxhetin vazhdon të përkufizojë politikën amerikane

Në Shtetet e Bashkuara, beteja politike rreth mënyrës së zvogëlimit të deficitit federal dhe borxhit kombëtar, që vazhdojnë të thellohen, shënoi një kthesë të re dje, ndërkohë që Presidenti Barak Obama paraqiti planin e tij për të pakësuar shpenzimet me triliona dollarë gjatë viteve të ardhshme. Republikanët në Kongres kanë shpallur tashmë një plan konkurrent për pakësimin e deficitit, duke u përqendruar më shumë në shkurtime buxhetore. Pritet që debati rreth shpenzimeve qeveritare të vazhdojë edhe në fushatën e zgjedhjeve presidenciale.

Sipas propozimit të Presidentit Obama, borxhi kombëtar do të zvogëlohej duke shkurtuar njëherësh shpenzimet, rritur taksat për të pasurit dhe ulur koston e programit shëndetësor për të moshuarit, të njohur si “Medicare”.

“Për të tejkaluar sfidën tonë fiskale, ne do të duhet të bëjmë reforma. Do të duhet që të gjithë të sakrifikojmë. Por nuk duhet të sakrifikojmë Amerikën në të cilën besojmë. Dhe për sa kohë që jam unë president, nuk do ta sakrifikojmë”.

Plani i Presidentit Obama do të shkurtojë 4 trilion dollarë nga deficitet buxhetore të parashikuara për 12 vitet e ardhshme.

Republikanët në Kongres kanë hartuar projektin e tyre për zvogëlimin e deficitit, duke synuar të pakësojnë borxhin me më shumë se 5 trilion dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme. Por ka dallime të mëdha mes planeve në mënyrën se si do të zvogëlonin borxhin.

Propozimi republikan përqendrohet më shumë në uljen e shpenzimeve dhe do të ndryshonte seriozisht programin “Medicare”, duke u vënë të moshuarve më shumë përgjegjësi financiare për kujdesin shëndetësor.

Një tjetër ndryshim i madh ka të bëjë me taksat. Presidenti Obama do të lejojë skadimin e shkurtimeve të taksave për amerikanët e pasur, ndërsa republikanët thonë se nuk pajtohen për rritje taksash.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Xhon Bejnër nga Ohajo:

“Nuk mund t’i tatojmë njerëzit nga të cilët presim të riinvestojnë në ekonominë tonë dhe të krijojnë vende pune. Uashingtoni ka problem me shpenzimet, jo me të ardhurat.”

Republikanët, demokratët dhe Presidenti Obama arritën të shmangin mbylljen e qeverisë javën e kaluar dhe dolën me një marrëveshje për shkurtime shtesë të shpenzimeve për vitin fiskal 2011 në shumën prej 38,5 miliard dollarësh.

Por beteja mbi buxhetin e viteve në vijim ka të bëjë me përpjekjet për të reduktuar triliona dollarë nga borxhi kombëtar, i cili tani arrin në mbi 14 trilion.

Ekspertët politikë thonë se qasjet tejet të ndryshme të dy partive kryesore rreth pakësimit të deficitit buxhetor do të shfaqen në skenën politike gjatë muajve të ardhshëm dhe do të vazhdojnë të pasqyrojnë një përplasje pikëpamjesh mbi rolin dhe fushëveprimin e pushtetit qendror.

Xhon Fortie është analist në Qendrën e Politikave Dypartiake në Uashington. Ai foli në programin “Encounter” të Zërit të Amerikës.

“Republikanët, në veçanti [kongresistët e rinj] republikanë, duan të tregojnë se kanë ardhur në Uashington për një qeveri të vogël dhe shpenzime më të ulëta. Demokratët thonë se besojnë në një Amerikë më zemërçelur dhe me programet shoqërore që janë të nevojshme dhe se me këto shkurtime po teprohet”.

Debati rreth buxhetit rrjedh nga zgjedhjet për Kongresin amerikan të nëntorit të kaluar, në të cilat republikanët rimorën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe shtuan numrin e senatorëve, kryesisht për shkak të shqetësimeve të zgjedhësve rreth shpenzimeve qeveritare.

Por pasqyrimi i atyre shqetësimeve në shkurtime buxhetore mund të jetë i vështirë, thotë Rid Uilson, redaktor i një buletini politik.

“Secili do ulje të shpenzimeve. Secili do shkurtime buxhetore. Por po u përmend një program i caktuar, gati të gjithë janë kundër shkurtimeve – qoftë për ‘Medicaid’, [që ofron kujdes shëndetësor për të varfrit dhe qytetarët me aftësi të kufizuara], ‘Medicare’, apo shpenzimet e mbrojtjes.”

Beteja e brendshme për buxhetin po përcillet edhe nga vëzhguesit jashtë vendit, thotë analisti politik i Institucionit “Brukings”, Uilliam Galston.

“Shtetet e Bashkuara luajnë një rol kyç jo vetëm ushtarakisht dhe në diplomaci, por ekonomikisht. Nëse Amerika rifiton vendin e saj në baraspeshën ekonomike, është lajm i mirë për ekonominë botërore.”

Një anketë e re e opinionit publik tregon se një e treta e amerikanëve janë kundër ndryshimeve të mëdha në programin “Medicare”. Sondazhi arrin gjithashtu në përfundimin se shumica e votuesve e përkrahin marrëveshjen e fundit për buxhetin federal të vitit 2011, por se ata janë të ndarë rreth asaj se si të bëhen shkurtime të mëtejshme në vitet në vijim.

XS
SM
MD
LG