Lidhje

Seancë në Kongres: Në fokus radikalizimi i myslimano-amerikanëve


Seancë në Kongres: Në fokus radikalizimi i myslimano-amerikanëve
Seancë në Kongres: Në fokus radikalizimi i myslimano-amerikanëve

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë mbi radikalizimin e myslimanëve amerikanë në burgjet amerikane. Një numër zyrtarësh të qeverive shtetërore dhe lokale dhanë dëshmi para komisionit mbi përpjekjete që po bëjnë grupe radikale islamiste nga jashtë vendit për të rekrutuar individë nga burgjet amerikane në mënyrë që t’i nxisin të kryejnë sulme kundër amerikanëve. Por disa anëtarë demokratë të Komisionit thanë se një seancë e tillë me një temë kaq të ngushtë, injoron kërcënimin që përfaqësojnë grupe të tjera kriminale brenda burgjeve amerikane.

Ligjvënësi republikan Piter King, Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare, i doli në mbrojtje vendimit të tij për të zhvilluar një seancë të dytë me pyetje përgjigje mbi radikalizimin e myslimano-amerikanëve. Seanca përqendrohej në konvertimin në myslimanë radikalë të disa të burgosurve amerikanë, një fenoment që zoti King e paraqiti si një kërcënim në rritje.

“Po e përsëris: dhjetëra ish-të burgosur, të cilët u konvertuan në fenë islame në burgjet amerikane, pas lirimit shkuan në Jemen për t’iu bashkuar al-Kaidës që udhëhiqet nga një amerikan, Anvar al-Avlaki, i cili ka dërguar terroristë për sulme në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2008. Kjo njihet si një ndër degët më të rrezikshme të al-Kaidës”.

Pjesa më e madhe e anëtarëve demokratë të komisionit e kundërshtuan temën tepër të ngushtë të seancave të ligjvënësit King, duke nënvizuar se ka variante të ndryshme bandash kriminale dhe se edhe bandat e neonazistëve të bardhë që operojnë në burgje, paraqesin kërcënim. Demokrati Beni Tomson përfaqëson shtetin Misisipi:

"Duke e kufizuar vëmendjen e këtij komisioni mbi radikalizmin vetëm tek një fe, lihet në harresë kërcënëmi që paraqesin ekstremistët e dhunshëm të të gjitha ngjyrave. Ka edhe kërcënime të tjera shqetësuese”.

Zoti Tompson tha se numri i sulmeve të dhunshme nga persona që janë konvertuar në myslimanë në burg është i vogël krahasuar me problemin e bandave të dhunshme që kanë lindur në burgje. Një nga ekspertët që po jepnin dëshmi para komisionit, Profesor Bert Useem i Universitetit Perdue, është i të njëjtit mendim dhe shton se burgjet nuk shërbejnë si terren për rekrutimin e ekstremistëve islamistë. Burgjet amerikane, thotë profesori, mbikqyren tani shumë më mirë se 30 vjet më parë dhe se pjesa më e madhe e të burgosurve, kanë pasur një përvojë të ndryshme jete nga pjesa më e madhe e terroristëve.

"Një masë e madhe të dhënash ka treguar se terroristët vijnë nga familje më të arsimuara dhe me të ardhura më të larta, ndërsa të burgosurit amerikanë kanë arsim më të ulët dhe rrjedhin nga komunitete më të varfra. Pra terroristët dhe elementët kriminalë kanë profile të ndryshme”.

Por dëshmitarë të tjerë në seancë kishin opinione të ndryshme, duke theksuar se radikalizmi islamik brenda burgjeve amerikane është një kërcënim real. Patrik Danlivi është ish-Zëvendës Inspektor i Sistemit të Korrektimit për Nju Jorkun:

"Pavarësisht nga pamja e jashtme, muret e burgjeve janë poroze. Ndikime nga jashtë ndjehen brenda burgjeve dhe të burgosurit brenda këtyre mureve mund të ndikojnë tek njerëzit jashtë tyre. Individë dhe grupe që kanë përqafuar ideologjinë islamiste kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të tërhequr të burgosur amerikanë në doktrinën e tyre”.

Ligjvënësja demokrate Lora Riçardson, anëtare e komisionit, dënoi faktin që ligjvënësi King ishte përqendruar tek myslimanët, duke e cilësuar si politikë raciste dhe diskriminuese.

Ligjvënësi King u përgjigj duke thënë se demokratët kishin rastin të organizonin një seancë me një tjetër objektiv, por nuk e bënë një gjë të tillë:

"Partia juaj e kishte nën kontroll këtë komision për katër vjet. Ju nuk organizuat asnjë seancë të vetme për rrezikun nga neonazistët, ekstremi i djathtë, pra supremacistët e bardhë”.

Zoti King hodhi poshtë atë që e cilësoi si prirje për korrektesë politike të kundërshtarëve të kësaj seance, duke thënë se radikalizmi islamik ndryshon nga ekstremizmat e tjerë pasi mbështetet nga rrjete të huaja terroriste, që rekrutojnë në mënyrë aktive në Amerikë.

XS
SM
MD
LG