Lidhje

Mbështetja turke për kryengritësit libianë, goditje e fortë për Gadafin


Mbështetja turke për kryengritësit libianë, goditje e fortë për Gadafin
Mbështetja turke për kryengritësit libianë, goditje e fortë për Gadafin

Duke ndryshuar qëndrimin e saj, Turqia po ndihmon me sa mundet opozitën libiane, duke premtuar 200 milionë dollarë dhe duke i bëri thirrje udhëheqësit libian Muamar Kadafi të largohet nga pushteti.

Ministri i Jashtëm i Turqisë Ahmet Davotoglu thotë se vendi i tij i ka dhënë një ndihmë të pashoqe Këshillit Kombëtar të Tranzicionit të opozitës libiane me bazë në Bengazi.

Gjatë një vizite në Bengazi, diplomati turk deklaroi opozitën libiane si përfaqësuesen e ligjshme të popullit libian dhe se Muamar Kadafi duhet të largohet nga posti.

Turqia ka patur lidhje të ngushta me kolonelin Muamar Kadafi dhe ishte fillimisht një nga vendet që argumentoi se përsëri mund të luante rol në zgjidhjen e konfliktit libian.

Diplomati turk me eksperiencë Selim Yenel thotë se ky ndryshim në politikën turke nuk u realizua me lehtësi.

“Ne jemi treguar shumë të kujdesshëm në qëndrimin tonë, jemi përpjekur të mbajmë frymën e dialogut mes të dyja palëve, megjithëse na kanë kritikuar për këtë. Por në fund të fundit, pamë se dialogu me Kadafin u bë i pamundur. Pamë gjithashtu se njerëzit në Bengazi po vepronin përherë e më me përgjegjësi. Pra, në fund, ne vendosëm ta pranojmë realitetin e krijuar dhe përfaqësimin e popullit në Bengazi”.

Ankaraja po e shoqëron me vepra mbështetjen e saj për opozitën libiane, duke i dhënë asaj 200 milionë dollarë, veç 100 milionë dollarëve që i ka dhënë më parë. Zyrtarët turq thonë se fondet synojnë të ndihmojnë plotësimin e nevojave të përditshme të opozitës.

Mbështetja e fortë e Ankarasë për opozitën libiane e ve atë në të njëjtin pozicion me aleatët perëndimorë, thotë korrespondenti për çështje diplomatike Semih Idiz. Ai thotë se deri tani Turqia ishte duke ndjekur një politikë më të pavarur në rajon.

“Kjo politikë e jashtme e Turqisë në rajon tashmë ka marrë fund. Tani ne jemi në fazën e reagimit ndaj situatës, që po ndryshon. Nuk jam i mendimit se Turqia mund të ketë rol të madh për t’i dhënë formë këtij procesi, por shoh një lloj bashkëpunimi dhe qëndrimi të njëjtë mes Turqisë dhe Washingtonit”.

Studjuesi i Institutit Carnegie, Sinan Ulgen, kryetar i organizatës së studimeve për marrëdhënie me jashtë të Turqisë, Edam, thotë se tani që Turqia po mban të njëjtin qëndrim si edhe aleatët perëndimorë, ajo mund të luajë një rol të efektshëm.

“Si vend mysliman dhe anëtar i NATO-s, Turqia do të ketë rol të rëndësishëm në këtë çështje. Pikërisht, duke i dhënë një kontribut të rëndësishëm me para opozitës libiane, Turqia ka treguar vullnetin e saj për të mbetur e angazhuar dhe për të ndihmuar popullin libian. Pra, është e vërtetë, se edhe në të ardhmen, Turqia do të mbetet një nga aktorët më instrumentalë të Perëndimit.”

Bisedimet e ardhshme pritet të përfshijnë hapjen e një zyre të opozitës në Turqi dhe përgatitjet për një takim të të ashtuquajturit Grup i Kontaktit me Libinë nga 15 deri më 16 korrik, në Stamboll. Takimi do të përqëndrohet tek Libia pas Kadafit, ku Turqia ka interesat e veta ekonomike, sipas diplomatit Jenel.

“Ne mendojmë për atë që do të ndodhë pas largimit të Kadafit nga pushteti, si do të zhvillohen gjërat, pra të gjitha çështjet do të jenë në tryezë për diskutim. Ekonomia, marrëveshjet e interesit dhe të tregtisë, do të vijnë më pas; ato nuk përbëjnë shqetësimin tonë kryesor, por patjetër që do të vijnë më pas. Ne kemi patur rreth 25 mijë punëtorë në Libi dhe shpresojmë që ata do të shkojnë atje përsëri, por siç thashë, ky mbetet shqetësimi ynë dytësor.

Vëzhguesit thonë se hezitimi i Ankarasë për ndërprejen e plotë të lidhjeve pjesërisht shkaktohej nga kontratat shumë miliarda dollarëshe që kishte me qeverinë libiane. Por tani që Ankaraja po ndihmon hapur opozitën libiane, autoritetet turke morën këto ditë kontrollin e bankës së përbashkët libiano-turke A&T, në përputhje me sanksionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG