Lidhje

SHBA ndryshojnë politikën e luftës kundër drogës

  • Zëri Amerikës

SHBA ndryshojnë politikën e luftës kundër drogës

SHBA ndryshojnë politikën e luftës kundër drogës

Administrata e Presidentit Obama tha se po e ndryshon politikën kundër drogës dhe se do të zbatojë një taktikë të re që përqendrohet më tepër te parandalimi dhe trajtimi. Por kritikët thonë se politika e re nuk ndryshon shumë përveç terminologjisë së përdorur.

Kartelet meksikane të drogës dhe dhuna mes grupeve kriminale shpesh bëhen fajtore për problemin e drogës në Amerikë.

Por shefi i Shtëpisë së Bardhë për politikën ndaj drogës, Gil Kerlikowske thotë se një pjesë e mirë e fajit duhet kërkuar në anën amerikane të kufirit.

"Mendoj se duhet të kuptojmë se pjesë e sigurimit të kufirit është edhe pakësimi i nevojës për drogë këtu brenda Shteteve të Bashkuara. Nëse nuk do të ishim një vend kaq i madh konsumator i drogës, motivi i fitimit nga kontrabanda e drogës nuk do të ishte kaq i lartë."

Në strategjinë e re nuk flitet më për një “luftë kundër drogës."

Shumë amerikanë e kuptojnë se kjo luftë nuk fitohet thjesht përmes zbatimit të rreptë të ligjit. Zoti Kerlikowske provon me anë të shifrave se sa i rëndë është bërë ky problem.

"Vdekjet nga overdoza e kalojnë numrin e atyre të shkaktuara nga armët, duke u bërë shkaku i dytë më i madh. Në 16 shtete të Amerikës, vdekjet nga droga ua kanë kaluar atyre nga aksidentet automobilistike duke zënë vendin e parë."

Zoti Kerlikowske thotë se policia kudo në Amerikë ndjen nervozizëm nga barrestimet e shumta të përdoruesve të drogës, të cilët shpesh janë përsëritës.

Ai tha se strategjia e re përqendrohet më tepër te parandalimi dhe trajtimi si dhe te shkëmbimi i shiringave që synon t’i joshë përdoruesit për të marrë trajtim.

Strategjia e re orientohet paksa edhe në imitimin e atyre vendeve të cilat prej një kohe të gjatë e trajtojnë drogimin si sëmundje dhe jo si krim.

Në Hollandë, autoritetet përqendrohen te krimet dhe sëmundjet që lidhen me drogën por e lejojnë përdorimin e saj nëpër kafene.

Por zoti Kerlikowske e quan legalizimin e drogës diçka të papranueshme. Në Amerikë, thotë ai, njerëzit abuzojnë madje edhe me morfinat.

"Ne nuk arrijmë t’i mbajmë morfinat larg adoleshentëve madje as të pengojmë vdekjet që shkaktohen nga këto droga që merren me recetë mjeku. Atëhere si mund të mendohet se mund ta rregullojmë me ligj përdorimin e marihuanës?"

Shtete si Kalifornia që e kanë legalizuar marihuanën për qëllime mjeksore u kritikuan nga zoti Kerlikowske.

Por disa analistë mendojnë se mënyra më e mirë për të luftuar drogën është përmes legalizimit të saj.

Bill Piper është drejtor i Aleancës për Politikën ndaj Drogës.

"Sa kohë që përdorimi i drogës është krim, njerëzit do të kenë frikë të kërkojnë mjekim, ata do të kenë frikë ta pranojnë hapur se janë të sëmurë, pra kështu nuk mund të funksionojë.”

Ai thotë se strategjia e re është më tepër një vazhdim i luftës kundër drogës.

Në fakt, megjithëse strategjia përqendrohet më tepër te parandalimi dhe trajtimi, shumica e fondeve përsëri do të vazhdojë të shpenzohet në zbatimin e rreptë të ligjit.

XS
SM
MD
LG