Lidhje

SHBA: Ende debate mbi programin “Nisma e Mbështetur tek Besimi”


SHBA: Ende debate mbi programin “Nisma e Mbështetur tek Besimi”
SHBA: Ende debate mbi programin “Nisma e Mbështetur tek Besimi”

Kishat dhe institucionet e tjera fetare këtu në Shtetet e Bashkuara marrin qindra milionë dollarë në vit prej shtetit për të ofruar shërbime sociale, si për shembull ushqim për të varfrit. Ky bashkëpunim midis qeverisë dhe fesë njihet si Nisma e Mbështetur tek Besimi dhe është zgjeruar mjaft që prej kohës kur Presidenti George W Bush krijoi zyra federale për promovimin e saj. Por kritikët janë ende duke e kundërshtuar iniciativën, duke thënë se bie ndesh me parimin e ndarjes së shtetit nga feja.

Kjo është Kisha e Nazerianit në Kolingdeil, të Pensilvanisë, ku ushqimet mbërritën në kohë për të ashtuquajturën “Darkë Familjare” së kësaj jave.

Familje me të ardhura të ulëta vijnë për të marrë ushqime falas. Disa qëndrojnë për të ngrënë diçka të ngrohtë.

Lisa Anne Gulley u pushua nga puna dhe nuk mund të paguajë faturat për familjen.

“Ne humbëm shtëpinë, humbëm gjithçka. Unë vij për Zotin dhe ata ofrojnë darkën dhe ushqime”.

Filadelfia është një qendër kulturore dhe financiare. Por recesioni pati pasoja të rënda për disa zona të qytetit dhe për qyteza të vogla si Kolingdeil, e kontesë fqinje Delaueir.

Kisha e Nazerianit i përket një rrjeti kishash që ushqejnë të varfërit në këtë konte dhe një pjesë e ushqimeve që ata japin blihet me paratë e taksapaguesve.

Klerikja Donna Sarog thotë se çdokush është i mirëpritur.

“Ne nuk insistojmë aspak që ata të dëgjojnë biblën para se të hanë”.

Por anëtarët e kishës nuk duket të kenë problem ta bëjnë një gjë të tillë. Këta të krishterë evangjelistë thonë se pjesë e bindjeve të tyre është detyra për të përhapur besimin e tyre. Por a nuk dëmtohet kështu ndarja midis kishës dhe shtetit?

Në Departamentin amerikan të Bujqësisë në Uashington, ka një zyrë që drejton programet shtetërore Nisma e Mbështetur tek Besimi dhe Partneritetet në Komunitet.

Drejtori Max Finberg thotë se besimi fetar dhe ndihma ushqimore mund të bashkohen... deri në një farë pike.

“Ajo vijë ndarëse bëhet paksa e papërcaktueshme për disa aspekte, por është gjithsesi e kërkuar. Dhe kur të kërkohet të lutesh në çfarëdo tradite qoftë për të marrë ushqime apo të tjera gjëra, kjo vijë është kaluar”.

Zoti Finberg thotë se kishat dhe objektet e tjera të kultit janë shumë të përhapura në Shtetet e Bashkuara dhe ato mund të shpërndajnë ushqime në më tepër vende dhe me një kosto më të ulët se sa agjencitë qeveritare.

“Ato janë rrjeti shpërndarës më i mirë i mundshëm”.

Një arsyetim i tillë e alarmon aktivistin për lirinë fetare Barry Lynn. Ai thotë se ndarja midis kishës dhe shtetit është themelore për demokracinë amerikane.

“Unë jam shumë i shqetësuar kur dëgjoj të thuhet se nëse ka njëfarë përfitimi dhe nëse jemi në gjendje të shpërndajmë apo bëjmë diçka tjetër me një kosto më të ulët, atëherë le të mos e marrim parasysh parimin e ndarjes midis kishës dhe shtetit”.

Zoti Lynn thotë se uria i bën njerëzit të prekshëm përballë presionit për të ndërruar fe.

“Njerëzit, në rrethana dobësie, ndjejnë trysni për të bërë çfarëdo që personi që u ofron bukë u kërkon të bëjnë”.

Shumica e njerëzve nuk qëndron për kohën e lutjes, por Lisa Anne Gulley ka vetëm fjalë të mira për të thënë për vendin ku ajo mund të marrë ushqime falas.

“Unë e dua shumë këtë kishë,” thotë ajo.

XS
SM
MD
LG