Lidhje

Presidenti Obama, aktivitete për grumbullim fondesh në Çikago


Presidenti Barak Obama po zhvillon sot fushatë elektorale duke marrë pjesë në disa aktivitete për grumbullim fondesh, ndërsa kandidatët republikanë, që shpresojnë ta largojnë atë nga pushteti, po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme brenda partisë së tyre. Presidenti do të marrë pjesë në 5 aktivitete për grumbullim fondesh, dy në qytetin e tij të Çikagos, në shtetin Illinoi dhe tre në qytetin Atlanta, të shtetit Xhorxhia.

Në Atlanta shoqata që e mbështet atë për rizgjedhje, Këshilli Afrikano-Amerikan, në bashkëpunim me regjisorin Tyler Perry, do të organizojnë një ceremoni në studiot e regjizorit ku është ftuar këngëtari fitues i çmimeve Grammy, Cee Lo Green. Pjesëmarrja në ceremoni kushton 500 dollarë, ndërsa biletat më të shtrenjta janë nga 2 mijë e 500 deri në 10 mijë dollarë. Më vonë, një darkë e shtruar në shtëpinë e regjisorit Perry kushton 35 mijë e 800 dollarë për çdo të ftuar, aq sa ç’është maksimumi që një individ mund të japë në vit për një kandidat apo parti politike, sipas rregullave të reja të Komisionit Federal të Zgjedhjeve.

Dje ekipi elektoral i presidentit botoi një video 17 minutëshe për mandatin e tij të parë në detyrë. Filmi përfshin intervista me ish presidentin Bill Clinton, nën-presidentin Joe Biden, si dhe vetë presidentin Obama dhe ve në dukje arritjet dhe sfidat më të vështira për zotin Obama.

Republikanët e cilësuan filimin me titull “Rruga që kemi përshkuar”, si propagandë. Rivalët republikanë të presidentit Obama vazhduan të premten përgatitjet për garat e nesërme brenda partisë. Ish guvernatori Mitt Romney zhvilloi një takim të premten në mëngjes në Illinoi, para votimeve paraprake të së martës. Ai pritet të shkojë tani në territorin e Porto Rikos ku zhvillohen votime të djelën. Ish senatori Rick Santorum ishte disa ditë më parë në Porto Riko, ku shkaktoi debate kur theksoi se portorikanët duhet të flasin anglisht për t’u bërë shtet. Aktualisht në Shtetet e Bashkuara nuk ka ligj që të përcaktojë anglishten si gjuhë zyrtare. Sot zoti Santorum shkon në Mizuri ku zhvillohen votime të shtunën dhe më pas do të shkojë për fushatë në Illinoi.

XS
SM
MD
LG