Lidhje

Skadon afati për të kërkuar autorizim nga Kongresi për operacionet në Libi

  • Majkëll Boumën
  • Zëri Amerikës

Skadon afati për të kërkuar autorizim nga Kongresi për operacionet në Libi

Skadon afati për të kërkuar autorizim nga Kongresi për operacionet në Libi

Administrata Obama vazhdon t’i dalë në mbrojtje ligjshmërisë së angazhimit ushtarak amerikan në Libi, ndërkohë që skadoi afati prej 90 ditësh për të marrë miratimin e Kongresit për operacionet.

Dje u mbushën 90 ditë që kur Presidenti Barak Obama njoftoi Kongresin për përdorimin e forcës ushtarake amerikane mbi qiejt e Libisë. Ndërkohë Nato vazhdon operacionet për të mbrojtur civilët dhe me shpresën se Moamar Gadafi do të detyrohet të largohet nga pushteti.

Sipas një ligji të vitit 1973, presidentët amerikanë kanë 60 ditë për të marrë autorizim nga Kongresi për angazhime madhore ushtarake jashtë vendit, dhe 30 ditë shtesë për t’u tërhequr nëse nuk jepet autorizimi dhe nuk miratohet një zgjatje e afatit maksimal.

Kongresi as nuk ka miratuar veprimet në Libi, as nuk i ka dhënë Presidentit Obama kohë shtesë për të përmbushur kushtet e ligjit. Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts u pyet mbi këtë problem nga emisioni Fox News:

"Besoj se Presidenti Obama ka përmbushur kushtet e ligjit në një mënyrë të ngjashme me atë të të gjithë pararendësve të tij. Nuk mendoj se ai po bën diçka të re”.

Administrata argumenton se po luan një rol mbështetës për operacionet e NATO-s dhe nuk ka dërguar trupa tokësore prandaj nuk është e nevojshme të kërkojë miratimin e Kongresit. Por kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Xhon Bejnër e sfidoi këtë argument:

"Ne bëjmë pjesë në përpjekjet që po hedhin bomba mbi kompleksin e Gadafit. Nuk më duket si logjikë e shëndoshë të themi se nuk jemi angazhuar në konflikt”.

Disa nga aleatët demokratë të presidentit në Kongres u janë bashkuar përpjekjeve për të ndalur fushatën në Libi. Ligjvënësi demokrat Denis Kusiniç është një ndër 10 ligjvënësit që paraqitën një akt-padi federale pak ditë më parë:

"Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara e bën të qartë se asnjë president nuk mund ta fusë vendin në luftë në kokë të vet pa leje nga Kongresi. As Nato, as OKB nuk marrin epërsi para Kushtetutës amerikane”.

Por ka edhe anëtarë të tjerë të Kongresit të cilët nuk e mbështesin këtë ligj, duke thënë se kufizon rolin e presidentit si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura. Senatori republikan Lindsi Greham thotë se ligji është një dokument pa vlerë, megjithatë ai fajëson Presidentin se nuk ka shpjeguar si duhet para Kongresit dhe popullit amerikan përse Libia ishte vendi i duhur për të ndërhyrë:

"Presidenti ka bërë punë të dobët në komunikimin e nevojës për angazhim në Libi. Nëse dështojmë kundër Gadafit, Nato përfundon me aq. Egjipti do të kthehet prapa dhe Gadafi, nëse mbijeton, do ta fusë të gjithë rajonin në kaos”.

Shtetet e Bashkuara kanë përdorur forcë ushtarake përmes avionëve të telekomanduar edhe mbi Pakistan dhe Jemen.

Muajin e kaluar, Senatori demokrat Xhon Keri dhe Senatori republikan Xhon Mekein paraqitën një resolute dypartiake ku shprehej mbështetje nga Kongresi për veprimet ushtarake në Libi. Ky propozim nuk është hedhur ende në votë, por administrata Obama ka thënë se e përshëndet një rezolutë të tillë.

XS
SM
MD
LG