Lidhje

SHBA: Niveli i papunësisë pëson rënie të ndjeshme

  • Zëri Amerikës

SHBA: Niveli i papunësisë pëson rënie të ndjeshme

SHBA: Niveli i papunësisë pëson rënie të ndjeshme

Niveli i papunësisë i Shteteve të Bashkuara ra gjatë muajit të nëntorit në nivelin e tij më të ulët në më shumë se dy vjetë. Por raporti i fundit i Departamentit të Punës tregon një situatë ende me probleme të tregut të punës në vend.

Njerëzit që janë duke kërkuar punë, mësuan të premten se mundësitë e tyre janë përmirësuar disi. Departamenti i Punës njoftoi se niveli i papunësisë shkoi në 8,6 përqind, një përmirësim ky prej katër të dhjetash prej muajit tetor.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se ekonomia e Shteteve të Bashkuara hapi 120 mijë vende pune, një shifër që pothuajse përkon me numrin e vendeve të punës që nevojiten për sistemimin e forcës së re punëtore.

Ekonomia e ngadaltë ka dëmtuar pushtetet lokale dhe shtetërore, të cilat kanë vazhduar të shkurtojnë vendet e punës. Por kompanitë private shtuan ndjeshëm punësimet e tyre, duke krijuar rreth 140 mijë vende pune, kryesisht në sektorët e shitjeve me pakicë, shërbimet profesionale, dhe shëndetësisë.

Presidenti Barak Obama tha se ekonomia amerikane ka krijuar rreth 3 milionë vende pune në sektorin privat, gjatë 21 muajve të fundit. Ai tha se “kjo rritje duhet të vazhdojë” dhe i kërkoi kongresit të mos bllokojë më gjatë ligjet që sipas tij do të ndihmonin në krijimin e vendeve të reja të punës.

“Tani nuk është koha për të shkelur pedalin e frenave mbi rimëkëmbjen ekonomike, tani është koha për të shkelur pedalin e gazit. Ne duhet të kryejmë detyrën tonë.”

Niveli i lartë i papunësisë është një çështje kyçe për garën presidenciale të vitit 2012. Republikanët, përfshi Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bejnër, fajin mbi problemet ekonomike ia vunë sërish politikave të Presidentit Obama.

“Çdo hapje e vendeve të reja të punës është një lajm i mirëpritur, por niveli i papunësisë në vendin tonë është tepër i lartë. Muaji nëntor është muaji i 34-t rresht gjatë të cilit niveli i papunësisë është mbi 8 përqind.”

Zoti Bëjner thotë se një vështrim më i kujdesshëm i raportit tregon se niveli i papunësisë ra pjesërisht edhe sepse 300 mijë njerëz janë kaq të shkurajuar sa ata kanë rreshtur së kërkuari punë. Vetëm personat të cilët po kërkojnë punësim konsiderohen si të papunë.

Por analisti demokrat Steve MekMahon thotë se një ekonomi në përmirësim do të ndihmojë në rritjen e mundësive të Presidentit Obama për t’u rizgjedhur.

“Për sa i përket ekonomisë, ajo që ka rëndësi gjatë fushatës presidenciale, është nëse njerëzit mendojnë ose jo se gjërat po përmirësohen dhe janë në rrugën e tyre drejt përmirësimit?”

Në rrugët e Nju Jorkut disa persona dyshojnë që ekonomia të mund të përmirësohet.

“Mendoj se do të kem një vend pune. Por për shumë njerëz nuk mendoj se gjërat do të përmirësohen. Prej një kohe të gjatë njerëzit kanë qenë të papunë dhe deri tani nuk duket të ketë ndonjë përmirësim.”

Disa të tjerë mirëpresin hapjen e vendeve të punës.

“Çdo përmirësim është i mirë dhe unë shpresoj të jemi në rrugën e duhur.”

Të dhënat e fundit tregojnë se zyrtarisht ka 13,3 milionë njerëz të papunë në Shtetet e Bashkuara. Miliona të tjerë dëshirojnë punësim me orar të plotë dhe arrijnë të gjejnë punë vetëm me orar të pjesshëm.

XS
SM
MD
LG