Lidhje

Kandidatët republikanë përballen para zgjedhjeve paraprake në Florida


Kandidatët republikanë përballen para zgjedhjeve paraprake në Florida
Kandidatët republikanë përballen para zgjedhjeve paraprake në Florida

Të katër kandidatët që po përpiqen të marrin mbështetjen e Partisë Republikane për kandidatin presidencial në zgjedhjet e nëntorit, zhvilluan debatin e fundit para zgjedhjeve të rendësishme paraprake në shtetin Florida.

Newt Gingrich, Mitt Romney, Ron Paul dhe Rick Santorum ju përgjigjën pyetjeve të audiencës në qytetin Jacksonville të Floridës të enjten.

Zoti Gingrich dhe zoti Romney shkëmbyen replika rreth qendrimeve të tyre mbi imigracionin e paligjshëm. Zoti Gingrich e quajti ish guvernatorin Romney si një kandidat anti-imigrant, duke e akuzuar atë se kërkonte të nxirrte jashtë vendit të gjithë imigrantët, përfshi të moshuarit.

“Dua që kufiri të kontrollohet, dua që anglishtja të jetë gjuha zyrtare, dua që të bëjmë shumë ndryshime. Jam i përgatitur të jem i rreptë dhe i guximshëm por po ashtu jam i përgatitur t’i përshtatem realitetit, sepse kam patur rastin të miratoj ligje në Kongres dhe premtimet jorealiste do të dalin bosh. Besoj se nëse ka një nivel human për të ata që kanë jetuar këtu për shumë kohë, ne mund të miratojmë ligje që do të pakësojnë dukshëm imigracionin e paligjshëm, vendosmërisht të kontrollojmë kufirin që do të thotë që ata që janë në Amerikë të jenë këtu në rrugë të ligjshme”.

Nga ana e tij, zoti Romney i quajti citimet e kundërshtarit si të pafalshme dhe tha se nga ana e tij ai thjesht kërkon që njerëzit të vijnë në Amerikë në rrugë të ligjshme.

“Nuk jam kundër imigrantëve. Im atë u lind në Meksikë dhe babai i gruas time u lind në Uells, dhe ata erdhën në këtë shtet. Ideja që jam anti-imigrant është e pështirë. Mos përdor një shprehje të tillë. Mund të thuash që nuk pajtohemi për disa politika. Por të thuash se zbatimi i ligjeve amerikane për të mbrojtur kufijtë tanë, për të mirëpritur njerëz në rrugë ligjore, të zgjerosh imigracionin e ligjshëm që unë e mbështes, të thuash që jam kundër imigrantëve është thjeshtë një retorikë që ka karakterizuar politikën amerikane prej shumë kohësh”.

Kandidatët po ashtu u pyetën rreth politikave aktuale mbi Amerikën Latine. Thuajse të gjithë kandidatët e akuzuan Presidentin Obama për lënien pas dore të rajonit. Kandidati Rick Santorum e akuzoi presidentin se ka mbajtur anën e udhëheqësve si Hugo Chavez i Venezuelës.

Kandidatët Gingrich dhe Romney gëzojnë praktikisht mbështetje të barabartë në anketa para votimeve të së martës. Ai që fiton zgjedhjet paraprake në shtetin e rendësishëm të Floridës do të fitojë shumë delegatë për në kuvendin kombëtar dhe po ashtu do të sigurojë një avantazh të fortë në garën republikane.

XS
SM
MD
LG