Lidhje

Sekretari Gejts në Afganistan, në kuadër të turneut të lamtumirës


Sekretari Gejts në Afganistan, në kuadër të turneut të lamtumirës
Sekretari Gejts në Afganistan, në kuadër të turneut të lamtumirës

Në Afganistanin jugor, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts vizitoi pjesëtarë të forcave të armatosura ameriakne që luftojnë kundër kryengritjes talebane. Takimet e zotit Gejts zhvillohen në kuadër të turneut të tij të lamtumirës, para se të largohet nga posti i Sekretarit të Mbrojtjes në fund të muajit.

Rreth 150 ushtarë amerikanë përshëndetën Sekretarin e Mbrojtjes Robert Gejts nën një tendë të hapur në Afganistanin jugor. Ndalesa e parë e turneut të tij të lamtumirës ishte të vizitonte trupat në Bazën Walton të Operacioneve në province Kandahar. Zoti Gejts u tha ushtarëve se nuk do t’i harronte kurrë.

"Më shumë se çdokush tjetër përveç presidentit, unë jam përgjegjës për praninë tuaj këtu. Këtë përgjegjësi e ndjej çdo ditë që kam mbajtur këtë post, tashmë prej 4 vjetësh e gjysmë. Unë besoj se ju jeni pjesa më e mirë e asaj që ofron vendi ynë. Do t’ju kem gjithmonë në mendje dhe në luatjet e mia për gjithë jetën. Faleminderit”.

Më pas zoti Gejts vizitoi marinsat amerikanë në një tendë në kampin Dwyer në Provincën Helmand.

Ndërsa, Sekretari i Mbrojtjes udhëtonte nëpër këtë vend të mbërthyer nga lufta, Presidenti Barak Obama po analizon se me çfarë ritmesh do të fillojë të zbatohet muajin e ardhshëm tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani. Në Kampin Dwyer, zoti Gejts tha se nëse vendimi do të ishte në dorë të tij, nuk do të diskutohej që trupat luftarake do të tërhiqeshin të fundit:

"Së pari do të filloja për personelin mbështetës, për të cilin nuk kemi më nevojë. Kemi bërë plot ndërtime, ndoshta këta persona nuk nevojiten më në Afganistan. Do të përpiqesha të shfrytëzoja në maksimum aftësitë luftarake, për sa kohë që vazhdon ky process”.

Sekretari i Mbrojtjes la të kuptohej ditët e fundit se e shihte të mundur përfundimin e luftës afro 10 vjeçare, falë arritjeve në gjendjen e sigurisë gjatë periudhës së fundit prej 1 viti e gjysmë.

Por megjithëse zoti Gejts tha se mund të zhvillohen bisedime për paqe me Talebanët brenda një viti, ai paralajmëroi se bisedime të tilla janë të mundshme vetëm nëse trupat e NATO-s në terren vazhdojnë presionin ndaj kryengritësve.

Komandantët në terren në të dyja bazat thanë se kanë parë përparim të dukshëm në gjendjen e sigurisë, veçanërisht për sa i përket rritjes së kapacitetit të forcave afgane në zonat përreth provincës Kandahar.

Por dhuna vazhdon gjatë këtyre muajve që tradicionalisht kanë qenë një periudhë luftimesh për Talebanët. Që nga mbërritja e Sekretarit Gejts në Afganistan të shtunën, NATO ka njoftuar për vrasjen e 5 pjesëtarëve të forcave të saj në përleshje me kryengritësit.

Zoti Gejts pritet të vizitojë trupa të tjera amerikane sot dhe këtë javë do të shkojë në Bruksel ku do të marrë pjesë në një conferencë të NATO-s për sigurinë, e cila pritet të ketë në rend të ditës edhe gjendjen në Afganistan.

XS
SM
MD
LG