Lidhje

Pronarët e dyqaneve përgatiten për sezonin e festave


US retail
US retail

Disa pronarë dyqanesh janë të shqetësuar se situata ekonomike në Shtetet e Bashkuara do t’i dëmtojë ata gjatë shitjeve në sezonin e festave, i cili është tradicionalisht periudha më e ngarkuar e vitit për shitjete mallrave. Disa dyqane po bëjnë përpjekje të mëdha për të tërhequr konsumatorët në një periudhë kur ekonomia më e madhe në botë është në procesin e rimëkëmbjes nga recesioni i më i rëndë në disa dekada.

Pronarët e dyqaneve presin me padurim blerësit që zakonisht dynden drejt dyqaneve amerikane dy muajt e fundit të vitit për të blerë lodra, veshje, pajisje elektronike dhe çdo gjë tjetër që duhet për dhuratat e Krishtlindjeve.

Sezoni më i madh i shitjeve tradicionalisht fillon menjëherë mbas së enjtes së katër të nëntorit, e cila është festa e Ditës së Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i faqes së internetit PriceGrabber.com, në Los Anxhelos, Stiv Krenzer, ndjek me vëmendje këtë prirje:

“E premtja e Zezë është dita mbas festës së Falenderimeve dhe është dita më e madhe e shitjeve, në të cilën shitësit shënojnë me të kuqe humbjet, dhe me të zezë fitimet e ditës.”

Në përpjekje për të patur pjesën e tyre të fitimit, numri i dyqaneve që hapen që në mesnatën e Ditës së Falenderimeve, ose përpara se të agojë e Premtja e Zezë është rritur ndjeshëm.

Pronarë të tjerë dyqanesh ofrojnë ulje çmimesh që janë zakonisht edhe më të mëdha se ulja e fillim sezonit, ose ofrojnë që të paguajnë postimin e mallit ose taksat e shitjes.

“Optimizëm i matur është fraza për sezonin e pushimeve këtë vit. Presim që shitjet të rriten me 2.8 përqind, shifër që është mbi mesataren e 10 viteve, por rritja nuk do të jetë aq e lartë sa vitin e kaluar”.

Ndërsa shitësit parashikojnë rritje të shitjeve, tregues të tjerë për të ardhmen e bizneseve janë të ndryshme.

Numri i mallrave që do të shkarkohen në portet e rëndësishme amerikane, pra importet, janë në ulje.

Nga ana tjetër, ekonomistët që masin shitjet e karburantit, për të matur lëvizjen e kamionëve thonë se shpërndarja e tyre anembanë vendit është rritur disi.

Pavarësisht rasteve të sipërpërmendura, zëvendës presidenti i qendrës më të madhe tregëtare në Shtetet e Bashkuara, Dan Xhasper, pret që të ketë një dyndje të madhe blerësish. Ai foli për Zërin e Amerikës përmes Skaipit

“Ne kemi patur një vit të mirë. Presim që të vazhdojë kështu. Nuk jam i sigurtë se në çfarë ritmesh do të jenë shitjet, por mendoj se do të jetë një sezon i mirë”.

Qendra tregëtare amerikane në Bloomingotn, të Minesotës ka të punësuar rreth 12 mijë njerëz e u shërben miliona blerësve çdo vit.

Ekonomistët gjithmonë vëzhgojnë nga afër shitjet sepse 70 për qind e aktivitetit ekonomik në Shtetet e Bashkuara udhëhiqet nga kërkesa e konsumatorit, ku shpenzimet e tyre arrijnë kulmin gjatë sezonit të festave.

XS
SM
MD
LG