Lidhje

Diplomatja amerikane: Trazirat në Siri e kanë ndryshuar atë vend përgjithmonë


Diplomatja amerikane: Trazirat në Siri e kanë ndryshuar atë vend përgjithmonë
Diplomatja amerikane: Trazirat në Siri e kanë ndryshuar atë vend përgjithmonë

Një diplomate e lartë amerikane tha të mërkurën se protestat në Siri dhe shtypja vdekjeprurëse nga ana e qeverisë e kanë ndryshuar atë vend përgjithmonë dhe se rikthimi i stabilitetit mund të arrihet vetëm nëpërmjet një kalimi në demokraci dhe me ndërmarrjen e reformave.

Për më shumë se dy muaj, protestues të paarmatosur në Siri kanë demonstruar kundër qeverisë së Presidentit Bashar al-Asad, duke kërkuar një qeveri më të përgjegjshme dhe demokratike.

“Përgjigja e regjimit sirian, duket qartë se kanë qenë vrasjet dhe ndalimet masive”.

Tamera Uites është zëvendës ndihmës-sekretare për çështjet e Lindjes së Afërme në Departamentin Amerikan të Shtetit. Duke folur në një konferencë të organizuar nga Instituti Karnegi për Paqe Ndërkombëtare, ajo tha se ndryshimi në Siri është i pashmangshëm.

“Gjërat në Siri kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Nuk ka kthim prapa. Në një mënyrë ose tjetër, marrëdhëniet e qeverisë siriane me popullin e saj, marrëdhëniet e shtetit sirian me rajonin, nuk do të jetë më kurrë siç kanë qenë”.

Qindra njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë ndaluar qëkur filluan protestat në mesin e muajit mars.

Në një fjalim të rëndësishëm javën e kaluar, Presidenti amerikan Barak Obama i bëri thirrje zotit Asad të udhëheqë kalimin në demokraci ose “të largohet nga skena politike”.

Qeveria siriane është shprehur se trazirat janë vepër e bandave të armatosura dhe ngatërrestarëve të huaj.

Diplomatja Tamera Uites nuk pajtohet.

“Nuk ka konspiracion të huaj këtu, siç mund të pandehin disa në Siri. Nuk ka shkaktarë të jashtëm. Çfarë po ndodh në Siri është ajo që po ndodh në mbarë rajonin, nxitur nga po të njëjtat prirje dhe forca vendase që po nxisin ndryshime në vende të tjera të rajonit”.

Zonja Uites tha se qeveria siriane duhet të ndalë dhunën ndaj protestuesve paqësore dhe të lejojë qytetarët të ushtrojnë të drejtat themelore politike.

Ajo tha Presidenti Asad duhet të lirojë të burgosurit dhe t’u japë fund ndalimeve në masë.

“Ka nga ata që do të thoshin se çfarë po ndodh në Siri tani përbën kërcënim për stabilitetin rajonal dhe se njerëzit në rajon shqetësohen rreth destabilitetit në Siri, posaçërisht nëse Presidenti Asad largohet nga pushteti. Kujtoj se është shumë me rëndësi të theksohet se vetë regjimi sirian është shkaktar i destabilitetit me reagimin e tij ndaj asaj që po ndodh. Ai po nxit dhunën dhe po ushqen rrezikun”.

Zonja Uites tha se e vetmja mënyrë për të arritur stabilitet të vërtetë është përmes një ecurie të ndryshimeve demokratike dhe reformave.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione mbi Presidentin Asad dhe të tjerë zyrtarë të lartë të Sirisë, duke ua ngrirë të gjitha pasuritë nën juridiksionin amerikan dhe evropian.

Zv/ndihmës-sekretarja e Shtetit Uites tha se nëse nuk ka tranzicion drejt demokracisë në Siri, qeveria e zotit Asad do të vazhdojë të sfidohet nga brenda vendit dhe të përballet me shkallëzim të trysnisë nga bashkësia ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG