Lidhje

Protestë nga faqet elektronike ndaj projekt-ligjeve për pronën intelektuale


Google posts black bar over it's colorful logo in protest of anti-piracy laws under consideration in U.S. Congress, January 18, 2011
Google posts black bar over it's colorful logo in protest of anti-piracy laws under consideration in U.S. Congress, January 18, 2011

Nëse keni zhvilluar kërkime në internet dje, ka të ngjarë të keni hasur në probleme që nuk i keni ndeshur më parë. Shumë faqe popullore elektronike ishin të bllokuara në shenjë proteste ndaj dy projekt-ligjeve kundër piraterisë intelektuale. Kritikët e propozimeve ligjore thonë se masa të tillë legjislative do të kërcënonin lirinë e fjalës:

Për herë të parë, faqja Wikipedia në anglisht u shua. Kjo faqe enciklopedike organizoi një mbyllje 24 orëshe të operacioneve për të protestuar ndaj projekt-ligjeve SOPA – Ndalimi i Piraterisë Elektronike dhe PIPA - Projektligji për Mbrojtjen e Pronës Intelektuale.

“Propozimet janë shkatërrimtare për internetin e lirë dhe të hapur. Janë shkatërrimtare për Wikipedian. Duam të sigurohemi që po e përçojmë si duhet këtë mesazh”, thotë Jay Walsh i Fondacionit Wikimedia.

Wikipedia ishte një ndër faqet elektronike që pezulluan operimin. Po ashtu edhe portali i lajmeve Reddit.

“Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe do ta luftojmë pasi kërcënon gjithë sektorin teknologjik”, thotë Eric Martin, Menaxher i Përgjithshëm i Portalit Reddit.

Ashtu si Wikipedia, edhe portali Reddit, në vend të materialit informativ në faqen e tij ka nxjerrë një apel për vizitorët që t’u bëjnë presion për këtë çështje ligjvënësve në Kongres. Google kishte nxirë logon e saj, por faqja mbeti funksionale.

Përkrahësit e dy projektligjeve – SOPA në Dhomën e Përfaqësuesve dhe PIPA në Senat, thonë se propozimi nuk përbën censurë, por një mënyrë për të luftuar faqet e huaja elektronike që shesin filma dhe muzikë të siguruar përmes piraterisë intelektuale.

“Këto faqe kontrabandë po dëmtojnë vende pune për amerikanët, po dëmtojnë konsumatorin amerikan dhe s’kanë vend në internet”, shprehet Steven Tepp i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Por David Smith i Institutit Potomac për Studime të Politikave thotë se projekt-ligjet do të dëmtonin faqe si Wikipedia që mbështeten tek përmbajtja që ofrojnë vetë përdoruesit.

“Krijon një platformë ligjore që një individ të shkojë para një gjykatësi dhe të marrë një urdhëresë që i bën kompanitë elektronike dhe kompanitë që ofrojnë internet përgjegjëse për përmbajtjen. Këtu lind problemi, pasi e shndërron kompaninë që ofron internetin në kontrollore të përmbajtjes”.

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati pritet t’i debatojnë projekt-ligjet brenda pak javësh. Por Shtëpia e Bardhë ka shprehur kritika:

“Nuk do të mbështesim ligje që kufizojnë lirinë e shprehjes, kërcënojnë sigurinë kibernetike apo minojnë karakterin dinamik dhe novator të internetit në botë", thotë zëdhënësi Jay Carney.

Duket që miratimi i ligjeve do të jetë i vështirë.

XS
SM
MD
LG