Lidhje

Abuzimet seksuale në ushtrinë amerikane


Abuzimet seksuale në ushtrinë amerikane
Abuzimet seksuale në ushtrinë amerikane

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates tha se akuzat e fundit për abuzime seksuale nga ish ushtarë amerikanë dhe të tjerë që janë ende në shërbim, përbëjnë shqetësim të madh dhe se ushtria ka tolerancë zero për abuzime seksuale. Komentet e tij u bënë një ditë pasi një grup me anëtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të ushtrisë dorëzuan një akt-padi në Virginia ku pretendojnë se janë ngacmuar seksualisht, dhe përdhunuar nga anëtarë të shërbimit ushtarak ndërkohë që kanë qënë në detyrë.

17 anëtarë të taanishëm dhe ish anëtarë të ushtrisë amerikane, shumica gra, thonë në akt-padi se janë përdhunuar ose abuzuar nga kolegët e tyre. Ata pretendojnë se kur incidentet u raportuan tek komandantët e tyre ushtarakë ata nuk arritën të vepronin dhe i urdhëruan të vazhdonin të shërbenin me ata të cilët i abuzonin. Disa nga viktimat dolën në një konferencë shtypi në Uashington.

Mila Haider thotë se është përdhunuar nga një ushtar ndërsa shërbente në Kore në vitin 2002.

"Ata që kryejnë këto akte janë si ajo kafsha që del për pre dhe ata janë shumë të zotë të zgjedhin viktimat e tyre dhe tentojnë të sulmojnë përsëri. Ky është një fakt që nuk njihet nga sistemi i departamentit të mbrojtjes dhe trajtohet thjesht si një çështje mes ushtarësh dhe në fakt nuk është e tillë".

Padia është ngritur për abuzime që nga ato verbale e deri tek përdhunime në grup.
Çështja përmend emrat e Sekretarit të Mbrojtjes Robert Gates dhe të paraardhësit të tij Donald Rumsfeld si të pandehur, duke pretenduar se ata nuk bënë asgjë për të zgjidhur këto ankesa dhe shqetësime. Ish komandantja e korpusit të marinës Anu Bhagwati thotë se Departamenti i Mbrojtjes është përqëndruar më shumë në inkurajimin e grave dhe burrave për të raportuar sulmet seksuale sesa në ndjekjen penale të dhunuesve. Zonja Bhagwati është tani drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Veprimit për Gratë në Ushtri, një grup i të drejtave të njeriut.

"Përsa i përket ndëshkimit, më pak se një në çdo pesë dhunues seksual ka dalë në gjyq. Shumica marrin vetëm një shuplakë në vend të burgut".

Paditësit thonë se sulmet seksuale dhe përdhunimet janë të përhapura në ushtrinë amerikane. Kori Çioca thotë se është përdhunuar nga eprori i saj në vitin 2005 kur shërbente në gardën bregdetare. Ajo thotë se komandantët e hodhën poshtë pretendimin e saj dhe e detyruan të punonte me përdhunuesin e saj.

"Komanda ime nuk donte të më ndihmonte pasi pinin bashkë. Ai ishte shoku i tyre. Kërkova ndihmë disa herë tek oficerë të tjerë dhe nuk mu dha ndihma".

Pentagoni thotë se beson se 80 përqind viktimave të sulmeve seksuale nuk e raportojnë krimin. Bazuar në këtë shifër Rrjeti për Veprim i Grave në Shërbim llogarit se më shumë se 16 mijë anëtarë të ushtrisë janë ngacmuar seksualisht në vitin 2009. Në një seancë dëgjimore në kongres sekretari Gates tha se departamenti i tij ka tolerancë zero për sulmet seksuale dhe se ushtria po bën më shumë për të ndjekur penalisht keqbërësit.

"Përqindja e ndjekjeve penale për abuzimet seksuale është rritur nga 30 në 52 përqind. Po bëjmë përparim por fakti është se nuk jemi atje ku duhet dhe kjo çështje është shqetësuese por do të vazhdojmë të punojmë".

Zoti Gates tha se Departamenti i Mbrojtjes ka zgjeruar gjithashtu ekipin e tij për mbrojtjen e viktimave të sulmeve seksuale nga 300 në 3 mijë, me punonjës të stacionuar në çdo bazë amerikane kudo në botë.

XS
SM
MD
LG