Lidhje

Studiuesit amerikanë thonë se makinat e votimit mund të manipulohen

  • Zëri Amerikës

Studiuesit amerikanë thonë se makinat e votimit mund të manipulohen

Studiuesit amerikanë thonë se makinat e votimit mund të manipulohen

Ndërkohë që stina e zgjedhjeve paraprake në Shtetet e Bashkuara për zgjedhjet e vitit të ardhshëm po merr hov, votuesit amerikanë do t’i drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur kandidatin e tyre të preferuar. Rreth 30 përqind e amerikanëve do të përdorin makinat elektronike të votimit deri në zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm. Një grup studiuesish në Laboratorin Kombëtar Argon pranë Çikagos kanë arritur në përfundim se votimi elektronik mund të manipulohet me lehtësi, duke hedhur dyshime në sigurinë dhe efikasitetin e makinave elektronike.

Puna kryesore e Xhon Uarner në Laboratorin Kombëtar Aragon është testimi i nivelit të sigurisë në fushat më delikate.

“Ne testojmë mbrojtjen nga materialet bërthamore dhe arrijmë të depërtojmë në sistemet e vërteta të sigurisë”.

Një projekt dytësor për zotin Uarner është manipulimi i rezultatit të zgjedhjeve fiktive përmes makinat elektronike të votimit që përdoren nga më shumë se 25 përqind e votuesve amerikanë.

“Këto makina janë të projektuara të funksionojnë përmes prekjes së ekranit, që aktivizon module të cilat kur preken dërgojnë sinjale te procesori. Procesori i përgjigjet këtyre sinjaleve me diçka. Unë thjeshtë kam arritur ta interceptoj këtë proces të komunikimit. Nëse më pëlqen vota, atëherë e lejoj të kalojë. Në të kundërtën e ndryshoj atë”.

Zoti Uarner manipulon informacionin e votës në makinat elektronike të votimit duke përdorur një pajisje të veçantë që drejtojet me telekomandë. Pra është një veprim shumë i thjeshtë.

“Ne besojmë se një 12 ose 13 vjeçar i shkathët mund të krijojë një pajisje elektronike që mund të manipulojnë votimet elektronike”.

Roxher Xhonston drejton ekipin e analizimit të dobësive të sistemeve në laboratorin Argon.

“Mendoj se makinat e votimit që kemi analizuar nuk janë projektuar duke pasur në mendje çështjen e sigurisë.”

Zoti Xhonston thotë se shqetësimet për sigurinë nuk janë të izoluara vetëm në mënyrën se si prodhohet pajisjet.

“Shpesh ndërtesat ku magazinohen këto pajisje nuk kanë nivel të lartë sigurie. Pothuajse gjithmonë këto pajisje transportohen nga një kompani e tretë ku të dhënat biografike të individëve që i transportojnë pajisjet nuk kontrollohen. Shpesh pajisjet arrijnë në qendrat e votimit dhe askush nuk e zyrtarizon ardhjen e tyre ose nuk merret përgjegjësi për mbikqyrjen e tyre. Kështu që shpesh ka një periudhë kohore gjatë së cilës këto pajisje mund të manipulohen.”

Grupi i drejtuar nga zoti Xhonston ka testuar dy nga 12 modele të ndryshme të makinave elektronike të votimit.

“Ne mendojmë se llojet e sulmeve që ne kemi demonstruar ndaj këtyre dy makinave mund të funksionojnë edhe ndaj llojeve tjera të këtyre makinave elektronike të votimit, por nuk jemi të sigurt sepse thjeshtë nuk i kemi testuar ato.”

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 u përcaktua nga disa qindra vota të hedhura me dorë në shtetin jugor të Floridës. Rinumërimi i këtyre votave, dhe mëdyshjet në zgjedhjet që ishin bërë në fletëvotime, ka nxitur shtimin e numrit të makinave elektronike të votimit në përgatitje për zgjedhjet pasuese.

Zoti Xhonston tani thotë se sa më i ngushtë të jetë rezultati i zgjedhjeve aq më i madh është roli i secilës makinë individuale në rezultatin përfundimtar të tyre.

“Në zgjedhjet e 2008-tës për senat në Minesota, Al Franken fitoi me një avantazh prej 312 votash—që mund të jenë hedhur në një makinë votimi. Pra, manipulimi i një makine të vetme votimi mund të ndryshojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”.

Zoti Xhonston thotë se ky problem nuk është i pranishëm vetëm në Shtetet e Bashkuara. Përpjekjet në mbarë botën për shpejtimin e numërimit të votave dhe publikimin e rezultateve kanë bërë që të rriten kërkesat për makina elektronike të votimit. Nëse këto makina nuk pajisen me nivele të larta sigurie, zoti Xhonston thotë se ato mund të hedhin dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG