Lidhje

Debatet midis kandidatëve përcaktojnë pozicionet


Debatet midis kandidatëve përcaktojnë pozicionet
Debatet midis kandidatëve përcaktojnë pozicionet

Kandidatët presidencialë të Partisë Republikane janë përballur me njëri tjetrin në një sërë debatesh televizive, me synimin për t’i dhënë votuesve një ide mbi qëndrimin e secilit pretendent për çështje të rëndësishme. Debatet shërbejnë për të përcjellë mesazhet e kandidatëve mbi veten dhe mbi kundërshtarët e tyre.

Këta kandidatë presidencialë kanë një dashuri të përbashkët për Amerikën...

Por jo për njëri tjetrin.

“Gjatë 15 vjetëve, pasi la punën si kryetar i dhomës së përfaqësuesve, zoti Gingrich ka tregëtuar ndikime politike në Uashington,” thotë Mitt Romney.

“Ai sapo tha të paktën katër gjëra që janë të pavërteta. Unë nuk dua të humbas kohë me to,” thotë Newt Gingrich.

Ndërkohë që konkurrojnë për të marrë emërimin e partisë, pretendentët veshin dorezat e boksit kur hyjnë në ringun e debateve televizive.

Në garën presidenciale të këtij viti, Presidenti Barak Obama nuk ka kundërshtarë brenda Partisë Demokrate. Por në partinë tjetër të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara, atë Republikane, fusha është e hapur dhe konkurrenca e ashpër. Këto debate në televizionet kombëtare janë vendi i përshtatshëm ku kandidatët mund të flasin drejtpërdrejt me elektoratin për të kërkuar mbështetje.

Epoka e debateve presidenciale filloi në vitin 1976, kur Presidenti Gerald Ford u përball me sfiduesin demokrat Jimmy Carter. Qysh atëherë debatet kanë qenë pjesë e zgjedhjeve presidenciale. Por, ndryshe nga debatet tradicionale, këto nuk janë të ndërtuar mbi argumente dhe kundër-argumente. Formati i tyre është më tepër pyetje-përgjigje, duke lejuar edhe ndërhyrje të kandidatëve të tjerë, siç shpjegon profesori i Universitetit Georgetown, Mark Rom.

“Ato kanë qenë të hapura për të gjithë, dhe kandidatët republikanë kanë mundur të bëjnë deklaratat e tyre më të mira, akuzat e tyre më të mëdha dhe sulmet më të forta ndaj kundërshtarëve, si një mënyrë për të ngritur veten në anketa.”

Një gabim para kamerave u kushton shtrenjtë debatuesve. Pak para se të braktiste garën si kandidat, Guvernatori i Teksasit, Rick Perry nuk ishte në gjendje të përmendte emrat e tre njësive federale që premtoi të eliminonte.

“Agjencia e tretë e qeverisë që unë... që do të hiqja... Arsimi... Tregtia... dhe... Nuk më kujtohet e treta.”

Janë një sërë debatesh që organizohen para se secila parti të zgjedhë kandidatin e saj zyrtar.

Më pas, pak para zgjedhjeve të nëntorit, mbahen tre debate midis kandidatëve të emëruar dhe një midis kandidatëve për Zëvendës President. Në vitin 2008, përballë ishin demokrati Barak Obama kundër republikanit John McCain.

Ndryshe nga debatet para emërimeve të partive, këto debate nuk organizohen nga rrjetet televizive, gazetat apo partitë, por drejtohen nga Komisioni i pavarur dhe asnjëanës i Debateve Presidenciale.

Struktura e tyre është më zyrtare dhe rëndësia është shumë më e madhe, siç shpjegon gazetari David Levinthal.

“Kur kemi përballë njëri-tjetrit kandidatin demokrat dhe atë republikan, kemi të bëjmë pikërisht me lojën finale. Në shumë raste, paraqitja në ato debate është vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve.”

Një rast i njohur është ai i debateve të vitit 1960 midis demokratit John F. Kennedy dhe republikanit Richard Nixon. Historianët e cilësojnë paraqitjen e Kennedy-it në debatet televizive si një faktor të rëndësishëm që i dha fitoren në zgjedhje.

XS
SM
MD
LG