Lidhje

Një grup qelizash të ndryshuara gjenetikisht luftojnë leuçeminë


Një grup qelizash të ndryshuara gjenetikisht luftojnë leuçeminë
Një grup qelizash të ndryshuara gjenetikisht luftojnë leuçeminë

Studiuesit në Universitetin e Pensilvanisë thonë se kanë trajtuar me sukses leuçeminë duke injektuar pacientët me qelizat e një gjeni të ndryshuar i cili vë në shënjestër dhe shkatërron qelizat kanceroze. Ekspertët mjekësorë e quajnë këtë një përparim të madh.

Shkencëtarët në qendrën Abromson për kërkime në fushën e kancerit pranë Universitetit të Pensilvanisë kanë punuar 20 vitet e fundit për përsosjen e një teknike që merr qeliza të veçanta të gjakut te pacientët që vuajnë nga leuçemia kronike dhe i kthen ato në kancer-vrasës. Ata morën të ashtuquajturat "qelizat T" nga gjaku i pacientit, i modifikuan gjenetikisht ato, dhe i injektuan përsëri tek pacienti. Qelizat e ndryshuara ishin aq efektive në ndjekjen dhe shkatërrimin e qelizave të kancerit saqë studiuesit u dhanë nofkën "vrasësit serialë." Dr. Karl Xhun, autor kryesor i studimit, thotë se ky eksperiment i guximshëm ka dhënë rezultate dramatike:

"Prova aktuale ka tejkaluar çdo parashikim, sepse tek tre pacientët që e kemi aplikuar këtë teknikë, leuçemia është zhdukur."

Të tre pacientët në provën klinike kishin fazë të avancuar leuçemie, me shumë pak mundësi trajtimi konvencional. Shkencëtarët gjenetistë thonë se është hera e parë në provat klinike me pacientët e kancerit, që qelizat T të ndryshuara arrijnë të mbijetojnë pas injektimit, dhe jo vetëm kap, por të jenë në gjendje të vrasin qelizat e kancerit edhe gjashtë muaj më vonë.

Brus Levin është bashkë-autor i studimit.

"Kjo teknikë nuk është si trajtimi me antitrupa ose kemioterapi, ku pacienti duhet të trajtohet pandërprerje. Trajtimi me qeliza T të modifikuara i ngjan një lloj medikamenti, prodhim inxhinjerik qelizor që përçan dhe vret tumoret".

Shoqata Amerikane e Kancerit e quan studimin "emocionues", por edhe paralajmëron se më shumë kërkime të tjera janë të nevojshme për të konfirmuar dobinë e terapisë gjenetike me qeliza T. Dr. Len Liktenfeld thotë:

"Ne e dimë se qelizat e modifikuara për disa kohë mund të jenë të dobishme, por edhe mund të dëmtojnë, kështu që ne kemi shumë për të mësuar para se të themi plotësisht se kjo terapi mund të përdoret në përgjithësi për pacientët të cilët kanë këtë lloj të veçantë të leuçemisë".

Dy nga tre pacientët në provën klinike tani nuk kanë asnjë shenjë të kancerit. Pacienti i tretë ka disa shenja kanceri, por është përmirësuar. Terapia mund të shkaktojë efekte anësore, si temperaturë të lartë, mosfunksionim të zemrës, dhe pengim në frymarrje. Shkencëtarët janë duke pritur për të parë se sa kohë do të zgjasë derisa kanceri të shfaqet përsëri, nëse po.

XS
SM
MD
LG