Lidhje

Misioni i OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për reformën zgjedhore në Shqipëri


Misioni i OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për reformën zgjedhore në Shqipëri
Misioni i OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për reformën zgjedhore në Shqipëri

Në Shqipëri një delegacion i ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR-it nisi sot një vizitë dy ditore në Tiranë për të shkëmbyer pikëpamje me autoritetet e vendit dhe drejtuesit kryesor politik lidhur me reformën zgjedhore. Ekspertët pritet të përgatisin një vlerësim me ndërhyrjet e nevojshme në legjislacionin dhe praktikat zgjedhore në Shqipëri i cili do t’u ofrohet më pas palëve. Opinioni i përgatitur prej tyre është parashikuar të miratohet në seancën e mesit të dhjetorit të ardhshëm nga Komisioni i Venecias.

Në muajin gusht, kur polemikat për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe vecanërisht mbi garën e Tiranës ishin ende të nxehta, sekretari i përgjthshëm i Këshillit të Europës i kërkoi Komisionit të Venecias të jepte një vlerësim profesional mbi ndërhyrjet e mundshme në kuadrin ligjor dhe praktikat zgjedhore në Shqipëri. Kjo, në mënyrë që, sic shkruante në letrën e tij sekretari i Këshillit të Europës, "të mund të mos përsëritej më, ajo cfarë kishte ndodhur në procesin e fundit elektoral". Nisma e tij u mbështet edhe nga Bashkimi Evropian dhe sot në Tiranë një delegacion i Komisionit të Venecias ku janë përfshirë edhe ekspertë të ODIHR-it mbërriti në Tiranë ku nisi takimet me autoritetet e vendit dhe drejtues të forcave kryesore politike.

"Komisioni i Venecias është këtu, pasi kemi marrë një detyrë nga Sekeretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës për të parë se cfarë përmirësimesh mund të bëhen në të ardhmen, në lidhje me reformën zgjedhore, në mënyrë që të shmangim krizën politike në të ardhmen. Detyra jonë është të bëjmë rekomandimet mbi të ardhmen dhe jo vlerësime për të kaluarën", deklaroi sekretari i Komisionit të Venecias Thomas Markert.

Sipas zotit Markert, takimet në Tiranë i paraprijnë hartimit të një opinioni nga ana e tyre i cili do t’i ofrohet më pas aktorëve politik shqiptarë: "Këtu jemi së bashku me përfaqësues të Osbe/odihr. Dhe disa prej rekomandimeve të raportit të ODIHR do të përfshihen natyrisht në opinionin tonë të përbashkët.Opinioni formal i Komisionit të Venecias do të miratohet në takimin e ardhshëm të këtij komisioni më 16-17 dhjetor", tha zoti Markert.

Realizimi i reformës zgjedhore është dhe një nga kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, i cili e sheh këtë dhe si një mundësi për t’i hapur rrugë bashkëpunimit mes palëve dhe kapërcimit të ngërcit dhe mosbesimit të thellë politik. Kjo ishte dhe një nga qëllimet e vizitës në Tiranë javën e shkuar edhe të drejtorit të përgjithshëm të Zgjerimit Stefano Sannino. Duke iu referuar pikërisht kësaj vizite, kryeministri Sali Berisha përsëriti sot se është i gatshëm të ulet me opozitën për reformën zgjedhore si dhe për rregulloren e parlamentit. E njëjta gatishmëri është shprehur edhe nga opozita. Por palët vazhdojnë të mos bien dakort për bazën mbi të cilën do të duhet të nisin bisedimet për reformën.

XS
SM
MD
LG