Lidhje

Dita e Pavarësisë: Festime spektakolare në Tiranë


Dita e Pavarësisë: Festime spektakolare në Tiranë

Dita e Pavarësisë: Festime spektakolare në Tiranë

Disa qindra mijëra qytetarë nga Tirana, Prishtina dhe qytete të tjera të Kosovës dhe Shqipërisë festuan sot 99 vjetorin e Ditës së Pavarësisë. Kryeqyteti shqiptar u zbukurua me mijëra flamuj në rrugë e sheshe, ndërsa grupe të ndryshme muzikore këndonin këngë patriotike dhe rinore në skena të ngritura enkas me rastin e festës. Në një rrugë të njohur të kryeqytetit, Bashkia në bashkëpunim me bizneset organizoi një panair me prodhime tradicionale vendase, ushqimore dhe veshje shqiptare. Kryeministri Sali Berisha e vizitoi panairin dhe u uroi shqiptarëve Ditën e Pavarësisë me shpresën se 100 vjetorin do ta festojnë më të zhvilluar, më të bashkuar dhe më gëzuar në atdhe.

Para Galerisë Kombëtare të Arteve një grup artistësh të rinj përkujtuan figurat kryesore të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, dhe zonjën Marigo Posio, që përmendet se ka qendisur në beze të kuqe flamurin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe, dhe ua dhuroi burrave themelues të shtetit në ceremoninë e 99 vjetëve më parë. Një numër i madh ceremonish festive u organizuan edhe në shëtitoren “Gjergj Fishta” dhe në “Parkun Rinia”. Për këtë festë kishin ardhur një numër i madh të rinjsh edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Dita e Pavarësisë është ngjarja më e rëndësishme e shtetit shqiptar. Pas një pushtimi 4 shekuj e gjysmë nga perandoria otomane, dhe luftërave të shumta me pushtetuesit fqinjë, burra themelues nga Vlora, Durrësi, Tirana, Shkodra, Elbasani, Korca, Gjakova, Peja, Mitrovica, Prizreni e Prishtina e shpallën Shqipërinë të lirë dhe të pavarur me një deklaratë të përbashkët gjatë një mbledhjeje 28 nëntor 1912 në qytetin e mirënjohur bregdetar.

XS
SM
MD
LG