Lidhje

Ekspertët vendas japin vlerësimin për videon Meta

  • Armand Mero

Ekspertët vendas japin vlerësimin për videon Meta

Ekspertët vendas japin vlerësimin për videon Meta

Gjykata e Lartë mori sot në dorëzim dhe dëgjoi aktin e ekspertizës të kryer nga tre ekspertë të caktuar prej saj për videon në të cilën ish zëvendëskryeministri Ilir Meta akuzohet se ka kërkuar favor në këmbim të ryshfeteve në shuma të mëdha nga ministri i ekonomisë në atë kohë Dritan Prifti.

Ekspertët u janë përgjigjur 18 pyetjeve të shtruara nga gjykata dhe kanë arritur në përfundimin se në Orën nga e cila Prokuoria dhe zoti Prifti thonë se është bërë regjistrimi, ata nuk kanë gjetur asnjë material të bisedës Meta-Prifti dhe se nuk mund të përcaktohet ekzaktësisht ora dhe data e hedhjes në kompjuterin e zotit Prifti të këtij materiali. Sipas tyre në materialin e gjetur në kompjuter, ekziston një mundësi e lartë ndërhyrjesh, ndërkohë që shprehen se nuk kanë mundur të arrijnë të pastrojnë pjesën audio e cila në pjesë të vecanta është e pakuptueshme.

Sipas ekspertëve "materialet audio-video mund të zhduken apo tjetërsohen pa lënë gjurmë" ndërsa shtojnë se "mundësia e shenjave të ndërhyrjes dhe montimeve është e lartë në pjesën që lidhet me zërin".

Prokuroria nga ana e saj ka kërkuar 10 ditë për të dhënë qëndrimin e saj ndaj këtij akti. Organi i akuzës realizoi fillmisht një ekspertizë nga dy të huaj, një ekspert anglez dhe një amerikan, të cilët arritën në perfundimin se materiali filmik nuk ishte manipuluar. Por ekspertiza e realizuar prej tyre u hodh poshtë nga gjykata pasi tre nga 5 anëtarët e trupit gjykues e cilësuan atë, të kryer në shkelje të procedurave.

Emërimi i ekspertëve vendas u shoqërua me dyshime të shumta në media, për shkak të formimit të tyre professional dhe faktit se vetëm njëri prej tre ekspertëve kishte kryer vetëm një kurs tre ditor në Rusi për përpunimin e materialeve audio.

Dyshime të forta hodhi sot edhe ish ministri Prifti sipas të cilit fakti që videoja nuk u gjet në orën ku u bë regjistrimi nuk tregon asgjë pasi, më te njejtën orë janë bërë edhe regjistrime të tjera tha ai që më pas janë shkarkuar. Sipas tij dy ditë më parë të tre ekspertët janë takuar në një bar të Tiranës me avokatin e zotit Meta, "një fakt që lë shumë për të dyshuar" sipas tij.

Duke iu referuar deklarimeve te ekspertëve të cilët janë shprehu se "në disa pjesë nuk dëgjohet mirë zëri", ai deklaroi se "vetë zoti Meta ka pranuar publikisht se ka përmendur 7 përqind apo dhe 700 mijë euro ndonëse duke dhënë shpjegime të tjera". Sipas zotit Prifti, që të dalë e vërteta Gjykata duhet të kërkojë ekspertizë të huaj e cila të realizohet jo nga private, por nga institucionet e policisë të një prej vendeve anëtare të Bashkimit europian.

Vlerësimi i sotëm i ekspertëve do të jetë përcaktues për rrjedhën e procesit i cili duket se po shkon drejt zhvlerësimit të materialit filmik e për pasojë edhe të rënies së akuzve për korrupsioni të ngritura nga prokuroria ndaj zotit Meta.

XS
SM
MD
LG