Lidhje

Nis leximi i pretencës në çështjen e Gërdecit

  • Armand Mero
  • Zëri Amerikës

Nis leximi i pretencës në çështjen e Gërdecit

Nis leximi i pretencës në çështjen e Gërdecit

Më shumë se tre vjet më parë kërpudha e zjarrtë që do të ngrihej mbi fabrikën e cmontimit të municioneve në Gërdec, shoi jetët e 26 personave mes të cilëve edhe fëmijë, plagosi afër 300 të tjera e shkatërroi banesa e shumë shtëpi të ngritura aty pranë. Ishte një ngjarje që tronditi mbarë opinionin, jo vetëm për përmasat e saj tragjike, por edhe për shkak të interesave të shumta financiare që ndërthurreshin rreth asaj fabrike. Për qeverinë ajo mbetet një aksident teknologjik, për një pjesë të mirë të shtypit dhe opinionit një aferë korrupsioni.

Pas zvarritjesh të shumta, të cilat sic vlerësohet edhe në raportet ndërkombëtare, vetëm sa kanë shtuar mosbesimin në sistemin gjyqësor shqiptar, procesi po shkon drejt fundit në gjykatën e Tiranës. Sot katër prokurorët e cështjes nisën leximin e pretencës. Në bankën e të akuzuarve janë 29 persona, drejtues të fabrikës, zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes dhe krerët më të lartë të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Asnjëri prej tyre nuk është më në qeli. Tejzgjatja e procesit bëri që prej andej të dilnin edhe drejtori i Meico-s Ylli Pinari, njeriu që drejtoi të gjithë operacionet kontraktuale, por edhe pronarët e e drejtuesit e fabrikës si Mihal Delijorgji. Jashtë procesit mbeti, falë imunitetit parlamentar, edhe ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili nuk u thirr as edhe si dëshmitar, ndonëse familjarët e viktimave e kanë akuzuar direkt si ndër përgjegjësit kryesorë.

Janë të paktën 500 faqe, të përgatitura nga prokurorët ku rindërtohet e gjithë historia e Gërdecit, që nga zanafilla deri te shpërthimi. Ata kanë shpjeguar mekanizimin që i hapi rrugë cmontimit të municioneve, kushtet sipas tyre plotësisht jashtë standarteve në të cilat punohej atje, si dhe përfshirjen vetëm formale të kompanisë amerikane, nën emrin e së cilës në të vërtetë gjithshka e realizonte kompania Albademil e Mihal Delijorgjit. Ish drejtori i Meico-s Pinari konsiderohet nga prokuroria si ideatori i gjithshkaje që do të realizohej më pas me sipërmarrësin Delijorgji. Të dy këta, dhe dy drejtues të tjerë të fabrikës në Gërdec akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim, në dëm të 26 personave.

Seanca mbi pretencën e prokurorëve do të vazhdojë edhe nesër për shkak të dosjes voluminoze të përgatitur prej tyre. Në fund ata duhet të kërkojnë edhe dënimet për të 29 të akuzuarit. Pas tyre do të jetë radha e mbrojtjes e në fund do të jetë Gjykata që do të vendosë. Por ky nuk do të jetë sërish fundi i procesit i cili me gjasë do të nisë një tjetër odise në gjykatën e Apelit.

XS
SM
MD
LG