Lidhje

Rruga “Ibrahim Rugova”; Tirana feston pavarësinë e Kosovës


Rruga “Ibrahim Rugova”; Tirana feston pavarësinë e Kosovës

Rruga “Ibrahim Rugova”; Tirana feston pavarësinë e Kosovës

Tirana nderoi sot me disa festa dhe ceremoni të vecanta në sheshet dhe rrugët kryesore 4 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ndërsa në shumë dritare mijëra banorë valëvitën flamurin shqiptar. Presidenti Bamir Topi uroi përmes një bisede telefonike presidenten Atifete Jahjaga dhe popullin e Kosovës “duke vlerësuar ruajtjen e integritetit territorial, paqes dhe qëndrueshmërisë, afrimin me institucionet euro-atlantike dhe mbarimin e pavarësisë së mbikëqyrur”.

Kryeqyteti shqiptar pagëzoi sot një nga rrugët kryesore të qendrës me emrin e Presidentit të parë të republikës së Kosovës, rruga Ibrahim Rugova. Një rrugë e gjerë dhe e zbukuruar paralel me shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” do të mbajë emrin e presidentit Rugova, udhëheqësit historik të rezistencës së popullit shqiptar përballë dhunës genocidale serbe, i vlerësuar botërisht edhe si themeluesi i Kosovës moderne.

Kryeministri Sali Berisha tha në ceremoni se “Presidenti Rugova është themeluesi i Partisë së Parë Antikomuniste në Ballkanin e diktaturave komuniste, është frymëzuesi, organizatori i lëvizjes paqësore më të pashembullt në historinë e Shqipërisë e shqiptarëve, si edhe të kombeve të tjera europiane, është arkitekti i Kosovës së pavarur”. Ai theksoi se presidenti Rugova po nderohet sot në Tiranë në 4 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, dy ngjarje historike, të cilat shqiptarët i kanë arritur me sakrifica të mëdha gjatë një shekulli. “Përulem me nderim të madh para veprës së këtij burri mendjendritur, këtij misionari të pashoq në historinë tonë kombëtare, arkitektit të Kosovës së pavarur. Faleminderit President Rugova, për gjithçka bëtë! Shqiptarët, kudo që ndodhen, sot përkulen me nderim të madh para jush” - tha zoti Berisha.

Krahas festimeve zyrtare dhe qytetare, pavarësia e Kosovës u nderua sot edhe nga partitë politike, si Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe nga Partia Socialiste. Kryetari i opozitës socialiste, Edi Rama, uroi popullin e Kosovës dhe kryeminstrin Hashim Thaçi përmes një deklarate shtypi, për një ardhmëri të zhvilluar europiane, duke e vlerësuar sakrificat e luftëtarëve të UÇK-së, komandantit Adem Jashari dhe presidentit Ibrahim Rugova.

XS
SM
MD
LG