Lidhje

Ekspertët komentojnë vendimin e Gjykatës së Lartë për “Çështjen Meta”


Ekspertët komentojnë vendimin e Gjykatës së Lartë për “Çështjen Meta”
Ekspertët komentojnë vendimin e Gjykatës së Lartë për “Çështjen Meta”

Vendimi i ndërmjetëm i Gjykatës së Lartë për “Çështjen Meta” shihet nga disa analistë si nisja e gjykimit me themel të akuzave, por nga disa të tjerë vlerësohet si mbyllja e një beteje politike mediatike për efekte elektorale. Në Qendrën për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, analisti Ilir Aliaj thotë se me pikën tre të vendimit Gjykata e Lartë rrëzoi ekspertimet e videoregjistrimit nga specialistë amerikanë dhe britanikë, sepse prokuroria i kreu ato në kundërshtim me ligjin. Ndërsa në pikën pesë të vendimit Gjykata e Lartë thotë se mungon prova origjinale në mjetin e regjistrimit.

“Me këto dy pika, pika tre dhe pika pesë e vendimit të Gjykatës së Lartë, unë them që nuk ka “Çështje Meta”. Gjykata e ka hedhur poshtë, sepse thotë shprehimisht se nuk ka provë origjinale” - tha ai. Nga ana tjetër, dr. Fatmir Tartale, pedagog në “Albanian University”, thotë se Gjykata e Lartë ka marrë një vendim të drejtë për të pranuar dëshmitë e Dritan Priftit, sepse ai publikoi i pari të dhëna të dyshuara për korrupsion, dhe në vazhdim të gjyqit ai do të jetë dëshmitar. Por eksperti i njohur thotë se rol kryesor ka edhe prokurori për të vërtetuar ato që dyshohen nga biseda e regjistruar. “Në luftën kundër korrupsionit askush nuk duhet të ndalet, askush nuk duhet të ketë kufi. Ai që ka detyrën për ta hetuar korrupsionin është së pari prokurori, i cili duhet ta ketë hetuar mirë çështjen derisa e ka çuar në gjyq, sepse këto cështje i gjykon vetëm Gjykata e Lartë. Prokurori duhet t’i ketë verifikuar faktet, dhe është i detyruar t’i verifikojë gjithë pretendimet që shtrohen në videokasetë apo në deklarimet e Dritan Priftit, sepse ky është deklarues para këtij gjykimi” - tha ai. Zoti Tartale thotë se para Gjykatës së Lartë të dyja palët prokuroria dhe i akuzuari Ilir Meta duhet të provojnë pretendimet e kundërta të tyre për një aferë të dyshuar korruptive. Sa i takon videoregjistrimit, edhe pse u rrëzuan, sipas tij, me të drejtë ekspertimet amerikane dhe angleze, zoti Tartale thotë se është në dorë të vetë gjykatës së lartë që të kërkojë një ekspertim të ri mbi kopjen që disponohet, nëse e vlerëson atë si të rëndësishëm. “Prokuroria, mbrojtja dhe vetë gjykata para se të japë vendim , ka nevojë për provën origjinale, se pa origjinalin nuk mund të japë konkluzion, por një ekspertim mund ta kryejnë. Pastaj varet nga ekspertët nga kualifikimi i tyre të brendshëm apo të jashtëm, apo të kombnuar, është e drejtë e gjykëatës të marrë një vendim mbi kërkesën e palëve për të caktuar ekspertë. Nuk na mungojnë ekspertë shqiptarë të të gjithë fushave, edhe për këtë video, por nuk e pengon njeri gjykatën për të caktuar ekspertë të huaj të kualifikuar në këtë fushë që të japin mendime për sa i përket kësaj videokasete, nëse është e saktë, nëse është e vërtetë, nëse është e manipuluar” - tha ai. Ndërsa për zotin Aliaj, vlerë të madhe ka pika katër e vendimit të Gjykatës së Lartë sepse për herë të parë gjykata mban hapur anën e publikut dhe mediave në lidhje më regjistrimin e fshehtë të zyrtarëve. Pika katër e vendimit sugjeron që, biseda të zyrtarëve shtetërorë të regjistruara edhe pse formalisht në kundërshtim me ligjin e përgjimeve, ato janë të përdorshme nga mediat sepse janë në interes të publikut për të dëgjuar përmbajtja e tyre. “Gjykata i jep të drejtë interesit të publikut. Gjykata thotë në pikën katër se interesi i publikut është mbi Kodin e Procedurës Penale “kapitulli për përgjimet”. Për herë të parë gjykata shqiptare e thotë këtë. Ky është një hap shumë shumë pozitiv për mediat dhe për luftën kundër korrupsionit” - tha ai. “Çështja Meta” ka zënë vend kryesor në shtypin shqiptar pas publikimit të një bisede të regjistruar mes zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ministrit të ekonomisë Dritan Prifti, ku, sipas mediave, gjejnë shkas dyshime për korrupsion dhe rryshfete në investimet e energjitikës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG