Lidhje

Ambasadori i OSBE në Shqipëri viziton lanfillin e Bushatit

  • Pëllumb Sulo

Ambasadori i OSBE në Shqipëri viziton lanfillin e Bushatit

Ambasadori i OSBE në Shqipëri viziton lanfillin e Bushatit

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Eugen Volfarth, vizitoi sot nga afër landfillin e Bushatit, i cili trajton mbeturinat e dy qarqeve Shkodër dhe Lezhë, duke shprehur kështu interesimin që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian po i kushton situatës mjedisore dhe asaj të mbeturinave në Shqipëri.

Ambasadori i OSBE tha se, asistenca në zhvillimin ekologjik dhe menaxhimin e mbeturinave është pjesë e asistencës që OSBE ofron në Shqipëri.

OSBE, tha ambasadori Volfarth, ofron asistencë dhe, sigurisht, çdo gjë kryhet në përputhje me shtetin e të drejtës, gjë kjo që është një çështje e rëndësishme pasi, siç u shpreh ai, ka të bëjë me shëndetin e popullatës dhe zhvillimin ekologjik të Shqipërisë.

I pyetur në lidhje me debatet e ndezura mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, pas kthimit nga ana e Presidentit për rishqyrtim në Parlament të ligjit për menaxhimin e integruar të mbeturinave, ambasdadori OSBE tha se kjo është një mënyrë demokratike që gjërat të përmirësohen.

"Ky", tha ambasadori i OSBE, "është një proces demokratik dhe këto hapa janë pjesë e këtij procesi që krijon mundësi për ta rishqyrtuar, në mënyrë që gjërat të përmirësohen më tej."Shqipëria", vazhdoi ai, "dhe sidomos pjesa veriore e saj, kanë bukuri natyrore dhe hapa të tillë si landfilli i Bushatit, janë të rëndësishëm për zhvillimin e këtyre bukurive dhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira, sipas standarteve europiane, për komunitetet që jetojnë këty".

Miratimi në parlament, pa votat e opozitës, i ligjit për menaxhimin e integruar të mbeturinave dhe mosdekretimi i tij nga Presidenrti, kanë nxitur debate të forta në Shqipëri, jo vetëm mes pozitës dhe opozitës, por edhe ambientalistëve dhe shoqërisë civile, veçanërisht mbi lejimin apo jo të importit të mbeturinave.

Ndërkohë, duke përfituar nga prania jashtë Tiranës, ambasadori i OSBE në Shqipëri ripërsëriti mesazhin për nisjen e dialogut mes forcave politike në Shqipëri, kërkesë kjo edhe e Raport progresit të BE për Shqipërinë.

Ambasadori i OSBE tha se përfitonte nga rasti për të thënë edhe një herë se nevojitet dialog dhe se ky dialog, mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, duhet të zhvillohet në parlament.

"Disa nga ligjet", tha ai, "kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar, pra 3/5 e votave të deputetëve, gjë që kërkon pjesëmarrje të opozitës. Dhe mënyra më e mirë për ta arritur këtë balancë dhe mirëkuptim është që të bashkohen në parlament dhe që aty të zhvillohet dialogu i nevojshëm. Dialog, tha ambasadori OSBE, do të thotë që palët të lëvizin, pra të hedhin hapa që shkojnë drejt zhvillimit dhe integerimit të Shqipërisë në BE".

"Partite politike nuk duhet të qendrojnë në transhetë e tyre, por duhet të dalin jashtë tyre dhe të vihen në lëvizje", theksoi ambasadori Volfarth.

Ky ishte edhe mesazhi që ambasadori i OSBE përcolli sot nga Bushati i Shkodrës si për shumicën qeverisëse, ashtu edhe për opozitën, mesazh ky që komuniteti europian vazhdon ta përsërisë duke e kushtëzuar atë me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

XS
SM
MD
LG