Lidhje

Shqipëri: Parlamenti diskuton për ligjet me shumicë të cilësuar votash


Shqipëri: Parlamenti diskuton për ligjet me shumicë të cilësuar votash

Shqipëri: Parlamenti diskuton për ligjet me shumicë të cilësuar votash

Opozita socialiste kërkoi sot që shumica demokrate në pushtet të rishikojë të gjithë projekt-ligjet që janë në rendin e ditës, sa kohë që ato janë përgatitur nga ekspertët në mungesë të ligjvënësve të partisë socialiste. Parlamenti kaloi sot shumë kohë me një projekt-ligj për trajtimin e mbetjeve urbane, por në fund të ditës u zhvillua një replikë e gjatë midis maxhorancës dhe opozitës lidhur me miratimin e ligjeve me 84 vota.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi kërkoi që çdo projektligj të hartohet dhe të shqyrtohet me mirëkuptim nga e para, qofshin këto ligje të rëndësishme apo kode shumëplanëshe. Lajtmotivi i fjalës së zotit Ruçi ishte: “Le ta nisim çdo gjë nga e para”. Ai i kujtoi maxhorancës se opozita ka dorëzuar një paketë për reformën në sistemin e drejtësisë, për të cilën nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sipas tij, Shqipëria vuan nga moszbatimi i ligjeve dhe jo hartimi i mirë dhe me konsensus i tyre. Zoti Ruçi bëri thirrje që partitë kryesore të bëjnë një dallim të qartë midis premtimeve propagandistike dhe ligjeve konkrete, kur është fjala për ligje që kërkohen nga Bashkimi Europian. Ai mori si shembull kodin rrugor që është shumë bashkëkohor, por në fakt nuk zbatohet në terren dhe qindra udhëtarë humbin jetën në trafikun e pakontrolluar. Në këto kushte, sipas tij, humbet vlera e votës së opozitës në një amendament ligjor në kodin rrugor, edhe pse ai shihet si europian, por nuk zbatohet si i tillë.

Përgjigja e kryetarit të grupit të deputetëtve demoktarë, Astrit Patozi ishte e menjëherëshe. Ai kërkoi që opozita të japë ndihmesën e vet në ligje të reja të kërkuara nga Bashkimi Europian. Zoti Patozi tha se opozita ka premtuar që do të mbështesë reformat integruese europiane, një premtim që nuk po e mban. Ai tha se Partia Socialiste ka premtuar një kurs të ri, gjë që nuk po ndodh, sepse opozita po ndjek të njëjtin kurs të bllokimit të reformave demokratike dhe të bojkotit parlamentar, siç ka bërë këto dy vjetët e fundit.

Zoti Patozi tha se PD po ndjek të njëjtin kurs reformash që u ka premtuar qytetarëve, dhe se do të vazhdojë rrugën e investimeve europianizuese dhe demokratike që u ka premtuar votuesve të saj, dhe se e kishte të vështirë që të replikonte me një kryetar partie që nuk ishte i pranishëm në sallën e parlamentit. Parlamenti vijoi punën me miratimin e ligjeve të zakonshme, por asgjë e re nuk ndodhi me ligjet që kërkonin 84 vota.

XS
SM
MD
LG