Lidhje

Berisha: Moratoriumi mbi skafet mbetet në fuqi


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se moratoriumi i cili ndalon qarkullimin në ujërat detare të vendit të motoskafeve, nuk do të hiqet

Komentet e kryeministrit gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pasuan propozimin e paraqitur në parlament nga një grup deputetësh socialistë të cilët kërkonin që moratoriumi të mos ishte më në fuqi. Por zoti Berisha tha se ky propozim është i papranueshëm, pasi vënia në lëvizje e industrisë së skafeve, theksoi ai, do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukesve të trafiqeve kriminale drejt Italisë.

Një vendim i tillë, vazhdoi më tej kryeministri do të ishte i papajtueshëm me angazhimin e Shqipërisë për tolerancë zero ndaj krimit të organizuar. Sipas tij, pretendimi se moratoriumi pengon turizmin nuk qëndron pasi në gjithë këto vite, saktësoi ai, turizmi është rritur me 12 herë.

Moratoriumi i skafeve u vendos në vitin 2006, me synimin për të ndërprerë trafkun e emigrantëve klandestinë dhe atë të drogës. Por ndërsa skafet nuk përdoren më për të cuar drejt Italisë emigrantë, nuk kanë munguar rastet e trafikut të drogës. Vetëm pak kohë më parë në brigjet e Italisë u sekuestruan 1.7 tonë marijuanë e nisur nga Shqipëria.

XS
SM
MD
LG