Lidhje

Protesta të personave me aftësi të kufizuar para parlamentit


Organizatat e personave me aftësi të kufizuara protestuan sot para parlamentit kundër një ligji që ndryshoi mënyrën e pagesave të tyre. Parlamenti e miratoi me votat e shumicës ndryshimin ligjor për të cilin protestuesit thonin se do të kufizojë të drejtat e tyre dhe fondet e tyre për energjinë, udhëtimin dhe ndihma të tjera. Përfaqësues të qeverisë deklaruan se ndryshimet po bëhen për një menaxhim më të mirë të fondeve dhe që ato të mos bien pre e spekullimeve. Disa qindra persona me aftësi të kufizuara zhvilluan sot për mbi 6 orë një protestë të pasuksesshme para parlamentit duke kërkuar që deputetët të mos miratonin një ligj që ndryshonte mënyrën e shpërblimeve të tyre.

Protestuesit nga e gjithë Shqipëria, të verbër, para dhe tetraplegjikë mbanin shpresa se pas bisedave të shumta me deputetët projektligji do të rrëzohej, megjithatë ai u miratua me një diferencë të ngushtë votash. “Të fituar janë ata që folën; të majtë e të djathtë. Të humburit jemi ne. ky ligj cënon në mënyrë konkrete dhe të drejtëpërdrejtë të drejtat tona ekonomike që i kemi patur dhe gëzuar prej 15 vjetësh. Tashmë ne do të jemi më të rrezikuar, shëndeti dhe jeta jonë do të jenë më të rrezikuara, sepse ne e dimë fare qartë se çfarë ka ndër mend të japë qeveria” – tha kryetari i shoqatës së verbërve dhe i lëvizjes së personave me aftësi të kufizuara, Sinan Tafaj. Ai së bashku me disa veprimtarë të tjerë ndoqën me vëmendje seancën plenare ku u bisedua në detaje me argumenta ekonomike, teknike dhe politike ndryshimi që iu bë ligjit. Thelbi i ndryshimit ligjit është se këtej e tutje ata nuk do të marrin shërbime falas por shërbimet e marra do të paguhen me vendim qeverie direkt në pagat e tyre.

Ministrat mendojnë se në emër të personave me aftësi të kufizuara fshiehn disa mijëra persona të tjerë që abuzojnë dhe që tani do të hiqen. Ministri i financave Ridvan Bode tha se qeveria ka në lista 16 mijë persona me aftësi të kufizuara, por kompania cez thotë se janë 25 mijë persona dhe kërkoi që qeveria të paguajë 25 milionë dollarë për energjinë që ata kanë marrë falas gjatë vitit të kaluar. “Ne mendojmë se është shumë më mirë që këtë masë përfitimi që e marrin në mënyrë indirekte, t’ua japim drejtpërdrejt në pagesën e tyre. Jo të marrin energji elektrike falas, por t’u japim paratë në pensionin e tyre për të paguar energjinë e harxhuar” – tha ai. Zoti Bode tha se ligji synon të vendosë një barazi mes persona me aftësi të kufizuara, sepse diskriminimi ekziston edhe midis grupeve të tyre, kur njëri merr 50 dollarë dhe tjetri 250 dollarë. Ndryshimet përmirësojnë menaxhimin e fondeve në dobi të vetë të atyre, tha ai.

Protesta dhe seanca parlamentare vazhduan paralelisht gjatë gjithë ditës, por në fund ligji u miratua me 4 vota plus dhe 3 abstenime, megjithë fjalimet e ashpra të opozitës dhe rezistencës së protestuesve për orë të tëra në një tubim, duke besuar se mbronin të drejtat e tyre.

XS
SM
MD
LG