Lidhje

Marrëdhëniet e ardhshme shqiptaro-amerikane nën dritën e së kaluarës


Marrëdhëniet e ardhshme shqiptaro-amerikane nën dritën e së kaluarës

Marrëdhëniet e ardhshme shqiptaro-amerikane nën dritën e së kaluarës

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u bëri sot thirrje drejtuesve kryesorë partiakë që të bashkëpunojnë në të mirë të vendit, duke lënë pas sjelljet e vjetra politike. Presidenti Topi i bëri këto komente në një konferencë të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare ku u analizuan marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë nga viti 1920 deri sot. Zoti Topi tha se disa politikanë shqiptarë deklarojnë se janë pro parimeve dhe standarteve demokratike perëndimore, por në praktikë disa veprime të tyre nuk janë të tilla. Ai theksoi se sjellja e dyzuar me dallime të mëdha midis të folurës dhe praktikës duhet të ishte një tipar i kapërcyer me kohë, sepse NATO dhe BE kërkojnë sjellje të reja politike në dobi të vendit.

“Gjej rastin të apeloj sot të gjithë aktorët politikë në vend, ata që janë mandatuar ose janë zgjedhur të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, në sjelljen e tyre politike dhe institucionale të dëshmojnë kurajo dhe përgjegjësi për të vendosur agjendën qytetare mbi çdo agjendë politike të ditës. Kështu do të jetësojnë në praktikë vlerat dhe parimet e demokracisë, tek të cilat besojmë” - tha zoti Topi. Sipas tij, populli është disa hapa përpara politikanëve në rrugën e demokracisë, sepse kanë vizion dhe bën sakrifica për vendin duke rifituar kohën e humbur, prandaj drejtuesit e zgjedhur duhet t’i shërbejnë qytetarit duke lënë pas interesat personale.

Ndërsa ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, kujtoi se si 20 vjet më parë ishte në një udhëkryq, komunizmi dështoi, shumë reforma duheshin bërë, dhe politikanët duhet të bënin zgjedhje të vendosura për tregun e lirë dhe mendimin e lirë demokratik.

“Ja ku jemi 20 vjet më vonë dhe e gjejmë veten në një tjetër udhëkryq. - tha ambasadori Arvizu - Edhe sot Shqipëria ka nevojë të madhe për reforma. Njerëzit e thjeshtë e dinë shumë mirë se çfarë duan për të ardhmen e vendit të tyre. Kjo e ardhme është së pari në duart e tyre dhe pastaj në duart e politikanëve. Këta duhet të bëjnë zgjedhjen e duhur për ta integruar vendin në Bashkimin Europian. Politikanët zgjidhen për t’u shërbyer njerëzve. Shqipëria nuk është ende atje ku duhej të ishte dhe nuk është bërë ende ajo që dëshiron të jetë. Ashtu si 20 vjet më parë, SHBA është pranë jush që të mbështesë përparimin e Shqipërisë. Kriteret për të hyrë në BE janë përsëri po ato; institucionet demokratike, zbatimi i fortë i ligjit dhe forcimi i ekonomisë së tregut” - tha ai.

Vitet e para të demokracisë në vitet 1990-92 i përshkroi me detaje dr. Elez Biberaj, drejtori i divizionit të Euro-Azisë në “Zërin e Amerikës”. Zoti Biberaj tha se, dy dekada pas rënies së komunizmit dhe pas një serie zgjedhjesh parlamentare, Shqipëria e gjen veten sot në mes të një tranzicioni të ndërlikuar. Sipas tij, ka shumë gjëra që janë të parealizuara dhe të brishta kur flitet për cilësinë e demokracisë së saj. Ai tha se qëndrueshmëria dhe demokracia e Shqipërisë vazhdojnë të minohen nga konkurrenca e ashpër mes dy forcave të mëdha politike të vendit dhe paaftësia e tyre për të respektuar rregullat e lojës demokratike

“SHBA kanë bërë investime të mëdha politike dhe ekonomike dejt zhvillimit demokratik të Shqipërisë. Por megjithë angazhimin e palëkundur të SHBA, është e qartë se suksesi dhe zhvillimi i Shqipërisë në të ardhmen do të varen nga aftësia dhe gadishmëria e udhëheqësve të saj politikë për të lënë mënjanë interesat e tyre të ngushta dhe për të bashkëpunuar për të mirën e vendit. Në fund të fundit, janë udhëheqësit e Shqipërisë që duhet të marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e sfidave të mëdha dhe pasigurive të shumta me të cilat ndeshet vendi i tyre. Këto janë kohë që kërkojnë udhëheqje të madhe dhe një ide të qartë se ku po shkohet. Unë vazhdoj të jem optimist se udhëheqësit e Shqipërisë do të ngrihen në lartësinë e detyrës” - tha zoti Biberaj.

Konferenca “Duke ndërtuar të ardhmen” e organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare mori shkas nga 20 vjetori i rihapjes së ambasadës së SHBA-ve në Tiranë dhe rifillimi i marrëdhënieve politike mes dy vendeve. Organizatorët menduan se ky përvjetor ishte një rast i mirë për të projektuar etapa të tjera në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

XS
SM
MD
LG