Lidhje

Siri, trupat qeveritare përleshen me persona të armatosur në Jisr al-Shughour

  • Eduard Jeranian

Siri, trupat qeveritare përleshen me persona të armatosur në Jisr al-Shughour

Siri, trupat qeveritare përleshen me persona të armatosur në Jisr al-Shughour

Media shtetërore siriane thotë se trupat qeveritare janë përleshur sot me persona të armatosur në një qytet verior të vendit, ndërkohë që rritet pakënaqësia e komunitetit ndërkombëtar ndaj shtypjes brutale të protestave në Siri.

Qeveria ka akuzuar “grupet e armatosura” në Jisr al-Shughour për vrasjen e 120 forcave të sigurisë. Media shtetërore thotë se trupat qeveritare kanë marr nën kontroll pikat kryesore në qytet dhe rreth tij për të përballuar grupet e armatosura.

Qyteti, që ndodhet afër kufirit me Turqinë, ka qenë në qendër të operacioneve ushtarake prej disa ditësh. Mijëra njerëz kanë ikur në drejtim të Turqisë për t’i shpëtuar gjakderdhjes.

Shtetet e Bashkuara akuzuan dje qeverinë siriane për krijimin e një krize humanitare në Sirinë veriore dhe i kanë bërë thirrje Damaskut të ndalë dhunën kundër protestuesve.

Në të gjithë Sirinë, turma të mëdha morën pjesë në ceremonitë mortore për trupat e dhjetëra të vrarëve, kur forcat qeveritare qëlluan mbi demonstruesit anti-qeveritarë. Ndërkaq, në Jemen zyrtarët thonë se të paktën 30 ushtarë dhe persona të dyshuar si ekstremistë janë vrarë në luftime në provincën e Abijanit jugor.

Dëshmitarë në Sirinë veriore thonë se helikopterë sulmues po përdoren nga forcat qeveritare për të goditur objekte në disa qytete të rrethuara. Videot e publikuara në faqen Facebook tregojnë helikopterët duke goditur qytete me predha të kalibrit të lartë, sipas pohimeve të dëshmitarëve.

Disa dëshmitarë i thanë televizionit Al Jazeera se helikopterët qëllonin pa dallim nga ajri mbi grupe refugjatësh:

Kanalet satelitore arabe transmetuan video të disa ushtarakëve që deklaronin se kishin dhënë dorëheqjen për të mbrojtur civilë të paarmatosur në qytete që ishin bërë objekt sulmesh. Dëshmitarët njoftojnë se oficerët dezertorë kishin zënë pozicione brenda qytetit Xhisr al-Shugur, nën zjarrin e tankeve qeveritare.

Pjesa më e madhe e Xhisr al-Shugurit duket e braktisur. Banorët morën arratinë nëpër ara në Turqinë fqinje dhe shumë dëshmitarë thonë se trupat siriane u vunë zjarrin arave dhe qëlluam mbi civilët që largoheshin. Turqia ka ngritur tenda në anën e saj të kufirit për më shumë se 4 mijë refugjatë.

Versioni i ngjarjeve që u transmetua nga televizioni shtetëror thotë se “banda terroriste” kishin marrë nën kontroll Xhisr al-Shugurin, duke sulmuar civilët dhe duke vjedhur rezervat ushqimore. Transmetimet e televizionit shtetëror thonë se ushtria siriane ishte mobilizuar për të dërguar bukë dhe për të rivendosur qetësinë dhe se njerëzit në rajon i kishin mirëpritur trupat me krahë hapur.

Televizioni shtetëror njoftoi se një grup gazetarësh libanezë, të shoqëruar nga zyrtarë të qeverisë siriane ishin bërë objekt sulmi në periferi të Xhisr al-Shugurit. Pjesa më e madhe e gazetarëve të huaj nuk janë lejuar të futen në Siri, prandaj ka qenë e vështirë të konfirmohen zhvillimet në terren.

Qindra vetë, që po merrnin pjesë në ceremonitë funebre, hodhën parulla kundër qeverisë dje në lagjen periferike Kabun të Damaskut. Ata po merrnin pjesë në funeralin e protestuesit Ali Vafik Ramadan një ndër të paktën 32 vetë që njoftohet se u vranë gjatë demonstratave në vend të premten.

Televizioni al Arabiya njoftoi se Ministri i Jashtëm sirian Valid al-Mualem u dërgoi një mesazh Kombeve të Bashkuara me kërkesën që Këshilli i Sigurimit të mos përziehej në punët e brendshme të Sirisë. Ministri i Jashtëm paralajmëroi gjithashtu se çdo koment kritik ndaj Damaskut, do të “inkurajonte ekstremistët dhe terroristët”.

Ndërkaq, në Jemen Zëvendës Ministri i Informacionit Abu Xhanadi këmbënguli se Nënpresidenti Abd al-Rab Mansur Hadi kishte në dorë drejtimin e vendit në mungesë të presidentit Ali Abdullah Saleh, i cili ndodhet në Arabinë Saudite pas plagëve të marra gjatë një sulmi kundër kompleksit presidencial afro 10 ditë më pare.

Njoftimet nga Arabia Saudite bëjnë të ditur se Presidenti Saleh është në gjendje të rëndë në një spital, ku u operua për të hequr një copë predhe që i kishte shkaktuar probleme në frymarrje.

Përleshjet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve të al-Kaidës në qytetin bregdetar Zinxhibar dhe zona të tjera lanë 21 militantë të vdekur dje. Nëntë ushtarë u vranë gjithashtu sipas Ministrisë jemenase të Mbrojtjes. Militantët e al-Kaidës morën nën kontroll Zixhibarin muajin e kaluar.

XS
SM
MD
LG