Lidhje

Annan: Qeveria siriane të ndalë menjëherë sulmet ndaj protestueve dhe opozitës

  • Zëri Amerikës

I dërguari i Lidhjes Arabe Kofi Annan thotë se qeveria siriane duhet të zbatojë pa humbur kohë ndalimin e luftimeve dhe të ndalë sulmet ndaj grupeve të opozitës, ndërkohë që sot ka patur luftime të reja në mbarë vendin.

Zëdhënësi i zotit Annan u tha gazetarëve në Gjenevë se “afati për zbatimin e planit 6-pikësh është tani”. Ai nuk dha hollësi se çfarë veprimi mund merret, në se zoti Assad nuk e zbaton planin e paqes të hartuar nga zoti Kofi Annan. Udhëheqësit arabë e miratuan dje planin e paqes të zotit Annan në një takim në Bagdad dhe bënë thirrje për zbatimin e tij të menjëhershëm.

Edhe pse zoti Assad të martën ra dakord për zbatimin e planit të paqes, në Siri ka vazhduar dhuna çdo ditë. Organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut i tha Zërit të Amerikës se forcat qeveritare i kanë vazhduar sulmet ndaj qytetit Homs, qendër e trazirave, duke vrarë të paktën 11 persona. Luftime ka patur sot edhe në provincën veriore Idbil dhe në periferi të Damaskut.

Ndërkohë, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton ka shkuar në Arabinë Saudite për bisedime që synojnë ta shtojnë presionin ndaj zotit Assad, që t’i japë fund shtypjes me dhunë të revoltës kundër qeverisë. Zonja Clinton u takua me Mbretin saudit Abdullah dhe me zyrtarë të tjerë në Rijad, si dhe do të marrë pjesë në takime të tjera me diplomatë rajonalë.

XS
SM
MD
LG