Lidhje

Siri: Akuza të reja nga aktivistët anti-qeveritarë për vrasjen e protestuesve

  • Eduard Jeranian
  • Zëri Amerikës

Siri: Akuza të reja nga aktivistët anti-qeveritarë për vrasjen e protestuesve

Siri: Akuza të reja nga aktivistët anti-qeveritarë për vrasjen e protestuesve

Dëshmitarët thonë se forcat siriane të sigurimit u futën dje në lagjen Kasva të Damaskut, një ditë pasi rrethuan zonën dhe sulmuan protestuesit. Një grup sirian për të drejtat e njeriut thotë se të paktën 20 vetë u vranë të premten në demonstrata në qytete të ndryshme të vendit. Ndërkohë një numër i madh sirianësh largohen drejt kufirit me Libanin.

Një video në Facebook tregon të rinj protestues duke ikur përmes një rruge të ngushtë në Damask dje, ndërkohë që forcat e sigurimit sulmonin lagjen Kasva. Sipas dëshmitarëve, tanket qeveritare rrethuan një pjesë të madhe të zonës. Dhjetëra protestues njoftohet se janë arrestuar si në Kasva dhe në Barzeh të Damaskut.

Kanalet satelitore tregonin video të mijëra sirianëve duke marrë pjesë në ceremoni mortore në rrugën kryesore të Kasva dje, me arkivolët e tre të rinjve të vrarë në protestat e së premtes.

Një grua e veshur me të zeza qan me të madhe dhe hedh parulla kundër autoriteteve , ndërkohë që përkulet mbi trupin e djalit 13 vjeçar që thuhet se është vrarë nga forcat e sigurimit të premten në Kasva.

Televizioni shtetëror sirian pretendon se “banda të armatosura qëlluan mbi forcat e sigurimit në Kasva duke plagosur disa vetë”. Po sipas këtij burimi, 7 civilë dhe forca sigurimi u vranë gjatë protestave.

Ndërkaq, mbi 12 mijë vetë janë larguar për të kërkuar strehim në kampe refugjatësh në Turqi.

Hilal Khashan, i cili jep mësim në Universitetin Amerikan në Bejrut, këmbëngul se Siria është më e shqetësuar për të penguar rrëzimin e regjimit se sa për rrezikun e një konflikti me Turqinë. Ai thotë se forcat siriane i afrohen kufirit, pavarësisht nga një marrëveshje që e pengon një veprim të tillë:

"Automjete të blinduara siriane arritën deri në kufi. Ata mund të ishin rreth 2 metra larg kufirit me Turqinë. Sirianët duan ta bëjnë të qartë se nuk do të lejojnë Turqinë të krijojë një zonë të sigurtë, ku mund të strehohet opozita”.

E përditshmja franceze Le Figaro njoftoi dje se grupi ekstremist Hezbollah në Liban ka filluar të transferojë armë nga Siria për në Liban. Hezbollahu, sipas gazetës, është i shqetësuar për mundësinë e rrëzimit të qeverisë siriane.

Udhëheqësi i Hezbollahut Sheik Hasan Nasrallah tha të premten se rënia e regjimit sirian do të ishte “një dhuratë si për Izraelin, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara,” pasi “do t’i lejonte ata të vendosnin hegjemoninë e tyre në rajon. Hezbollahu është në listën e Departamentit të Shtetit për grupet terroriste.

XS
SM
MD
LG