Lidhje

Forumet shoqërore në internet, temë diskutimi mes studentëve nga SHBA dhe Kosova


Forumet shoqërore në internet, temë diskutimi mes studentëve nga SHBA dhe Kosova

Forumet shoqërore në internet, temë diskutimi mes studentëve nga SHBA dhe Kosova

Media sociale dhe forumet shoqërore në internet janë bërë mjeti më i përdorur i komunikimit mes të rinjve në të gjithë botën. Në kuadër të një projekti të Departamentit të Shtetit, studentë nga Shtetet e Bashkuara zhvilluan një diskutim me studentë nga Kosova përmes një video-konference dhe tema e debatit ishin pikërisht forumet e internetit si Facebook, Twitter dhe YouTube dhe ndikimi i tyre në komunikimin global.


Një debat studentor u organizua ditët e fundit në kuadër të një projekti të Departamentit të Shtetit për shkëmbimin e ideve mes të rinjve amerikanë dhe atyre nga vende të ndryshme.

Këtë radhë studentët ishin nga Universiteti Amerikan në Uashington dhe Universiteti Amerikan në Kosovë. Emri i njëjtë është vetëm rastësi, pasi dy institucionet nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Temë diskutimi janë forumet shoqërore në internet dhe ndikimi i tyre në sferën sociale.

Xhon Shejfër është Drejtori i Zyrës për Çështjet Evropiane në Byronë e Programeve Ndërkombëtare të Informacionit që e organizoi këtë diskutim. Ai thotë se projekte të tilla janë shumë të rëndësishme për Departamentin e Shtetit sepse hapin rrugë të reja komunikimi dhe shkëmbimi idesh.

“Përmes shkëmbimeve të tilla kulturore ne i lidhim njerëzit nga shoqëri të ndryshme, nga grupe të ndryshme etnike, nga fe të ndryshme në mënyrë që të arrijmë ta kuptojmë njëri tjetrin më mirë.”

Diskutimet e këtyre dy grupeve studentësh universitarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë tepër interesante. Pavarësisht se jetojnë në dy vende me standart të ndryshëm ekonomik, qasja tek një gamë e gjerë informacioni duket se nuk ka dallim mes dy palëve.

Xhuli Mertus është profesore në Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin Amerikan dhe autore e librit “Kosova: Si mitet dhe të vërtetat filluan një luftë”. Ajo përzgjodhi studentët amerikanë dhe bashkëpunoi për të bashkërenduar diskutimin.

“Mendoj se është e mrekullueshme të shohësh studentët e mi të diskutojnë me studentët nga Kosova. Dhe përmbajtja e bisedave të tyre është përtej asaj që prisja unë.”

Mënyra se si funksionojnë këto lloj diskutimesh është me format pyetje përgjigjesh ndaj njëri-tjetrit, nga ku rrjedhin argumentet e ndryshme dhe studentët ofrojnë një larmi mendimesh.

Zëri i Amerikës: Media përmes forumeve sociale në internet është bërë mjeti më i përdorshëm në ditët e sotme. Cilat janë vantazhet e komunikimit të hapur dhe dizavantazhet e tij. Çfarë përfitimi sjell ky mjet i ri mediatik?

A: Është më e lehtë të komunikosh me njerëz të etnive të ndryshme...është e vështirë të fillosh dialogun, por pasi fillon, të krijohet mundësia të thyesh paragjykimet....

Si studentët amerikanë, ashtu edhe ata nga Kosova bien dakort se rrjetet shoqërore të forumeve në internet, si Facebook, Twitter, YouTube janë një mjet i fuqishëm në duart e popujve, sidomos atyre në vendet me liri të kufizuar fjale. Kjo, thonë ata, u jep njerëzve mundësinë të thonë fjalën e tyre në ndryshimin e sistemit. Por, duke qenë tregje të hapura idesh, ata ngrejnë pyetjen nëse këto rrjete forumesh në internet mund të përdoren për qëllime jo të mira nga qeveri autokrate.

“Si çdo mjet tjetër, Fejsbuk apo Tuitër mund të përdoren edhe për qëllime jolegjitime. Por sidoqoftë, unë mendoj se dizavantazhet janë të pallogaritshme në krahasim me përfitimet. Këto forume u japin mundësinë e fjalës atyre që nuk u dëgjohet zëri ndryshe.”

Studentët nga të dy vendet janë kuriozë të ndajnë përvojat dhe të mësojnë nga përvojat e njëri tjetrit.

“Historikisht njerëzit kanë pasur prirjen të identifikohen sipas komuniteteve të tyre, ndarjeve etnike apo ndarjeve të tjera gjeografike. A kontribuon media sociale në theksimin apo zbehjen e këtyre ndarjeve?”

...përgjigjet e studentëve kosovarë tregojnë se përvojat kanë qenë të ndryshme, megjithatë ata të gjithë thonë se e kanë më të lehtë të flasin me një pjesëtar të një komuniteti tjetër përmes internetit fillimisht, para se të takohen apo të krijojnë kontakte të tjera.

Studentët nga Kosova thonë se forumet sociale në internet kanë ndihmuar në promovimin e identitetit të Kosovës dhe lobizmit për shtetin e tyre të ri.

Diskutimi mes studentëve u përgatit dhe u drejtua nga gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci.

XS
SM
MD
LG