Lidhje

Në kinematë amerikane, filmi “The Social Network”


Në kinematë amerikane, filmi “The Social Network”
Në kinematë amerikane, filmi “The Social Network”

Filmi që është duke u shfaqur në kinematë amerikane “The Social Network” është historia e jetës së krijuesit të Facebookut, Mark Zakerberg, e përshkruar në skenarin e Eron Sorkinit dhe nga producenti David Finçer. Facebook ka tani 500 milionë anëtarë dhe Zakerberg në jetën reale është një nga manjatët më të rinj të medias.

Studenti i Universitetit Harvard Mark Zakerberg, një personazh që në film interpretohet nga Xhesi Ajzenberg, kur po krijonte Facebookun nuk kishte si synim rendjen pas parasë.

“Unë mendoj se ky personazh ka patur dy motivime. Donte të ishte i ftuar në shoqërinë e rë rinjve popullorë dhe motivimi tjetër, ishte se ai kishte një vizion prej krijuesi”, thotë skenaristi Eron Sorkin.

Një tjetër arsye e nënkuptuar në film, janë përpjekjet e personazhit kryesor për hakmarrje. Kur ishte në Harvard, Markun e la e dashura dhe ai donte të bashkohej përsëri me të.

Filmi e portretizon Zakerbergun si një person i cili kupton më mirë shifrat se sa njerëzit.

Filmi po ashtu ve në pikëpyetje etikën e Zakerbergut. Në jetën e përditshme ai akuzohet se e ka vjedhur idenë për krijimin e Facebookut nga studentë të tjerë të Harvardit, si dhe për mënjanimin e mikut të tij më të mirë, bashkëthemeluesit Eduardo Saverin. Akt-paditë u zgjidhën me marrëveshje jashtë gjykatës.

Aktori Xhesi Ajzenberg e intrepreton Zakerbergun si një njeri rebel, njëkohësisht me një dimension human, duke e portretizuar si njeri tepër të dedikuar ndaj vizionit që kishte.

“Në film, shoku i tij i dhomës, Eduardo Saverin, i cili i dha atij 20 mijë dollarë për ta filluar kompaninë, donte t’i jepte Facebookut një tjetër drejtim. Por për Markun, përparësi mbetet përdorimi i Facebookut për marrëdhëniet personale”, thotë aktori.

Sot, 500 milionë vetë në botë lidhen përmes Facebookut. Pra, nuk është çudi që filmi ishte titulli më i suksesshëm në kinema për javën kur filloi të shfaqej. Ditën e premierës, spektatorët patën rastin të japin opinione mbi themeluesin dhe vetë Facebookun. Ja si u shprehën disa prej tyre.

“Më vjen keq për të rinjtë, pasi me këto norma morale do të jetojnë në një botë më të keqe”.

“Filmi të jep një ide të mirë mbi mënyrën si funksionojnë bizneset e mëdha”.

“Ka krime nga Facebook. Ka njerëz që janë kërcënuar, ngacmuar”.

Filmi filloi të shfaqej pikërisht pas vetëvrasjes së studentit Tyler Clementi, që u hodh nga ura Xhorxh Uashington e Nju Jorkut, pasi marrëdhënia e tij seksuale me një mashkull, shok i tij, u xhirua dhe u shfaq drejtpërdrejt në Internet. Clementi e kishte njoftuar më parë vendimin për vetëvrasjen e tij në Facebook.

Por tragjedia nuk ia zbeh vlerat artistike filmit “The social Network”. Ai është një film me vlera të tilla, që mund të marrë Çmimin Oscar, për mjeshtërinë në përshkrimin e karakterit njerëzor, për një grup aktorësh mjaft të talentuar dhe për dialogun e mprehtë. Filmi është kronika e rrugës që ka ndjekur një gjeni dikur i panjohur, në suksesin marramendës.

XS
SM
MD
LG