Lidhje

Afrika e Jugut shënon Ditën e Rinisë, fillimi i kryengritjes kundër Aparteidit

  • Xhef Suaikord

Afrika e Jugut shënon Ditën e Rinisë, fillimi i kryengritjes kundër Aparteidit

Afrika e Jugut shënon Ditën e Rinisë, fillimi i kryengritjes kundër Aparteidit

Tifozët e futbollit që ndodhen në Afrikën e Jugut për të ndjekur ndeshjet e Botërorit do të kenë mundësinë të mësojnë edhe për historinë e trazuar të këtij vendi. Më 16 qershor, në Afrikën e Jugut kremtohet Dita e Rinisë. Në këtë datë më 1976, Hektër Pitërsën, një nxënës 12-vjeçar u vra nga policia në lagjen Soveto të Johanesburgut. Kjo ngjarje shënoi fillimin e kryengritjes së Sovetos e cila më vonë i dha fund aparteidit më 1994. Ekipi i Zërit të Amerikës vizitoi Soveton për të parë se si ka ndryshuar jeta për njerëzit që jetojnë atje.

16 vjet pas përfundimit të periudhës së aparteidit, Sakhumzi Makupela është njëri prej “diamanteve të zinj” siç quhen pjesëtarët e klasës së re të pasur të Afrikës së Jugut.

Ai është pronar i restorantit Sakhumzi në rrugën e njohur Vilakazi të Sovetos. Gjatë periudhës së aparteidit ishte e paligjshme që zezakët të kishin bizneset e tyre. Siç thotë Sakhumzi, zezakët gjithnjë e dinin se cilët ishin padronët e tyre.

“Policia vinte dhe të terrorizonte. Nëse ende mbaje dyqanin hapur, vinin dhe t’i merrnin edhe klientët”.

Më 16 qershor 1976, qindra metra larg restorantit të Sakhumzit, nxënësi 12-vjeç Hektër Pitërsën u qëllua për vdekje nga policia. Ai dhe nxënës të tjerë po protestonin kundër përdorimit të gjuhës “afrikaans” si gjuhë mësimi në shkolla. Kjo përmendore u ngrit në nderim të tij. Vrasja e këtij nxënësi shënoi fillimin e kryengritjes së Sovetos dhe më pas solli fundin e aparteidit. Çdo vit, në të njëjtën datë, Afrika e Jugut kremton Ditën e Rinisë.

“Ata njerëz janë heronj sepse pa ta ne nuk do të ishim ku jemi sot”.

Sot, Soveto është vend krejt tjetër. Restoranti i Sakhumzit është bërë shumë i suksesshëm. I ndodhur në të njëjtën rrugë ku kanë jetuar edhe Dezmond Tutu dhe Nelson Mandela, restoranti vizitohet nga turistë nga e mbarë bota. Ne u njohëm me Sakhumzin ndërsa rrinte ulur dhe po fliste me një jugafrikan të bardhë, diçka që do të ishte e pamundur gjatë aparteidit. Ernst Vanbiljon thotë se në 16 vjetët e fundit, gjithherë e më shumë njerëz të bardhë vijnë në lagjet e zezakëve.

“Pas vitit ’94 filluam të punojmë së bashku, por dinin shumë pak për njëri-tjetrin. Në atë kohë, kujtova se do të ishte mirë të dilja dhe të kisha kontakte me njerëz dhe të njihesha me realitetin”.

Sot, disa pjesë të Sovetos i ngjasojnë periferive të qyteteve kudo në botë. Kjo është pamja e re e lagjes Soveto. Kompleksi tregëtar Maponja është i pari në këtë anë, i mbushur me shitore luksoze dhe me mallra të firmave të njohura ndërkombëtare. Për të ditur nëse shumica e njerëzve në Soveto kishin mundësi të blenin në këtë shtëpi mallrash, pyetëm Xhunitën dhe Tumin që kishin ndaluar për të shikuar kalimthi para se të shkonin në ndeshje futbolli.

“Njerëzit kanë mundësi të blejnë mallra këtu. Në të kaluarën merrnin taksi dhe shkonin në dyqane në pjesë të tjera të qytetit, aty ku jetonin kryesisht njerëz të bardhë. Ndërsa tani shitoret janë këtu në lagjen e tyre. Është për mrekulli”.

Mirëpo për çdo person që ka mundësi të blejë mallra në qendrën Maponja, janë pesë të cilët nuk munden. Në Soveto ka akoma varfëri të madhe. Vargjeve të kasolleve si këto nuk iu shihej fundi. Lizi Uej është e papunë dhe ka më shumë se pesë vjet që banon në një kasolle të ndërtuar me teneqe. Ajo thotë se zyrtarët vendorë kanë shpërdoruar ndihmën sociale që u takon atyre.

“Qeveria po jep para për përmirësime, por ne s’po shohim asgjë, asnjë përmirësim këtu”.

Ndërkaq, në rrugën Vilakazi, Sakhumzi thotë se ka plane të zgjerojë biznesin e tij. Duke gëzuar liritë që i kanë dhuruar veprimtarët si Hektër Pitërsoni, ai do të dëshironte të ndërtonte një zinxhir botëror të restoranteve Sakhumzi.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG